Gratë ende kanë frikë të kërkojnë trashëgiminë

Prishtinë | 03 Tet 2016 | 11:47 | Nga

Ligjet e Kosovës mund t’u japin grave të drejta të barabarta për të trashëguar, por shumë gra në vend ende hezitojnë t’i përdorin ato për arsye morale.

Ajo ka mbushur 70 vjeçe tani, por për vite ka jetuar ose me shoqërinë – ose kur ka mundur ta përballojë – ka marrë me qira apartamente.

Gruaja nga Shtimja, e cila nuk pranoi të jepte emrin, po lufton për të drejtën e saj për të jetuar në shtëpinë ku u rrit.

Pasi prindërit i vdiqën, si grua e pamartuar, vëllai e saj e përzuri në vitin 2000.

Pas një gjyqi që zgjati për 15 vjet, gjykata më në fund vendosi në favor të saj vitin e shkuar.

Pavarësisht vendimit të gjykatës, vëllai i saj nuk e ka lejuar ende të kthehet në shtëpinë që supozohet ta kenë së bashku.

Ajo i ka kërkuar Avokatit të Popullit në Kosovë ndihmë, me shpresën se pas gjithë këtyre viteve, ajo mund të kthehet atje ku mendon se ka vendin.

Ajo kishte edhe një mundësi tjetër, të merrte policinë dhe me ndihmën e tyre të hynte në shtëpi – por kjo mundësi iu duk shumë ekstreme.

Ajo është në fakt, një nga pak gratë e Kosovës që shkojnë në gjykatë për të kërkuar pjesën e saj të trashëgimisë.

Ekspertët thonë se mentaliteti patriarkal e ka fajin për faktin që shumë gra në Kosovë heqin dorë nga të drejtat e tyre për të trashëguar pronë dhe asete që kanë tagrin t’i kenë.

Megjithëse ligji në Kosovë thotë se gratë kanë të drejta të barabarta trashëgimie me burrat, OJQ-të thonë se mbetet një sfidë ndërgjegjësimi i grave për të drejta të tilla.

Në Kosovë, trashëgimia fitohet me ligj ose nga testamenti. Por kur nuk ka akte si testamenti, me ligj trashëgimtarët janë fëmijët e të ndjerit.

Ligji i Trashëgimisë në Kosovë u jep grave dhe burrave të drejta të barabarta për të trashëguar nga paraardhësit e tyre.

Por gjithashtu parashikon që një trashëgimtar me vullnet të heqë dorë nga pjesa e trashëguar dhe deklarata të tilla të tërheqjes nga pasuria nuk mund të revokohen.

Në shumicën e rasteve, edhe kur gratë kanë të drejta të plota për të trashëguar, ato ndjekin kodin “moral” dhe nuk e marrin pjesën e tyre, që të mos humbin respektin e familjes.

Kërkimi i kryer në 20 gjykata komunash nga Lidhja e Avokatëve Norma, që është anëtare e Rrjetit të Grave në Kosovë, tregon se norma e trashëgimisë në Kosovë është 1:3 në disavantazh të grave.

Një kërkim i BIRN i korrikut 2016 gjithashtu zbuloi se vetëm 16 për qind e pronave në Kosovë janë regjistruar në emër të grave.

Valbona Salihu, drejtore ekzekutive e Norma, theksoi se ndërsa ligji në Kosovë është ndër më të mirët në këtë fushë, nuk ka asnjë mënyrë për t’i detyruar gratë dhe burrat ta ndjekin atë.

Sociologia Linda Gusia i tha BIRN se arsimi më i mirë do të ishte një hap përpara në arritjen e barazisë së vërtetë sociale dhe në emancipimin e grave.

“Ky fenomen është pasojë e rendit patriarkal të shoqërisë sonë, sipas të cilit trashëgimtarët e familjes janë burrat dhe djemtë”, tha Gusia.

Salihu thotë se pabarazia e vazhdueshme mes burrave dhe grave në Kosovë reflekton nivelin e ulët të arsimit te gratë dhe mungesën e ndërgjegjësimit të mjaftueshëm për të drejtat e tyre ligjore.

Një tjetër rast i një gruaje të cilës iu mohua e drejta e pronës lidhet me Shukrie Berishën.

Ajo më parë i tha BIRN se çështja e saj gjyqësore, që lidhej me të drejtën e saj për të mbajtur shtëpinë e burrit të ndjerë, ku kishte jetuar për 30 vjet, u zvarrit për 11 vite.

Berisha e çoi kunatin në gjyq pasi ai pretendoi se ajo nuk kishte të drejtë të vazhdonte të përdorte pronën, pasi nuk kishte fëmijë.

Pas 11 vitesh, Gjykata Themelore në Prishtinë në prill të këtij viti i dha Shukrie Berishës të drejtën e pronës. Më në fund ajoi mori pjesën e saj të shtëpisë.

Gjyqe të tilla mbi rastet e trashëgimisë shpesh zgjasin për vite sepse palët akuzuese përdorin plotësisht të drejtat e tyre për t’u ankimuar, duke shtyrë vendimin përfundimtar.

Salihu thotë se OJQ-të duhet “të vazhdojnë të punojnë për të rritur ndërgjegjen e grave për të drejtat e tyre të garantuara”.

“Gjëja e parë që institucionet duhet të bëjnë është të heqin parashikimin ligjor ku një person mund të heqë dorë nga trashëgimia”, përfundoi ajo.

Ndërsa, emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka realizuar disa emisione që trajtojnë çështjen e trashëgimisë pronësore të grave me theks në rastet diskriminuese të grave në prona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme