Kawa Group dhe Let’s Do It Kosova do të pastrojnë deponinë më të madhe të mbeturinave në Prishtinë

Prishtinë | 05 Sht 2018 | 11:31 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si bartëse e task-forcës për pastrimin e Kosovës, kompania “Kawa Group” dhe Organizata “Let’s Do It Kosova” kanë nënshkruar memorandumin për ndërmarrjen e aksionit për pastrimin e deponisë më të madhe në Prishtinë që gjendet te stacioni i autobusëve.

Iniciativa për pastrimin e deponisë më të madhe në Prishtinë dhe kthimin në park të gjelbëruar, ka ardhur si kërkesë nga kompania “Kawa Group” për OJQ-në “Let’s Do It Kosova”.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka falënderuar “Kawa Group” dhe “Let’s Do It Kosova” që do të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e gjithë vendit, raporton Ekonomia Online.

“Deponia më e madhe e pastrimit që është afër stacionit të autobusëve, do pastrohet me vullnetin e tërësishëm të kompanisë ‘Kawa Group’ dhe organizatës ‘Let’s Do It Kosova’. E përgëzoj kompaninë ‘Kawa Group’ për kujdesin ndaj klientëve të vet dhe cilësisë së produkteve, si dhe vizionit tjetër që ka, që është kontributi në komunitetin ku vepron dhe ku punon kjo kompani”.

Matoshi ka apeluar tek të gjitha institucionet, kompanitë dhe qytetarët që të jenë pjesë e aksionit për pastrimin e Kosovës.

Edhe pronari i kompanisë ‘Kawa Group”, Valon Vataj, ka bërë një thirrje që të gjitha kompanitë dhe qytetarët, që të bëhen pjesë e aksionit të pastrimit.

“I ftoj të gjitha kompanitë ndërtimore dhe qytetarët që të bëhen pjesë e kontributit në të gjitha format për të tejkaluar problemet të cilat i kemi me mjedis. I ftoj të gjithë që më 15 shtator të fillojmë aksionin e madh për pastrimin e Kosovës, i cili do të zgjasë tre muaj”, ka thënë Vataj.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka falënderuar kompaninë “Kawa Group” për iniciativën për pastrim e kësaj deponie, raporton EO.

“Kështu siç jemi bashkë tani, të bashkohemi edhe në aksionin për pastrim, duke filluar më 15 shtator për të përfunduar më 15 dhjetor. Pas hapit që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës dhe me krijimin e task-forcës për pastrimin e Kosovës, tani është radha jonë, e qytetarëve, që të tregojmë përgjegjësi dhe të mundohemi të ndihmojmë Qeverinë, por edhe të gjithë neve që e kemi nisur këtë proces”, ka thënë Hasanaj.

Aksioni do të fillojë më 15 shtator dhe do të zgjasë për tre muaj, deri më 15 dhjetor.

Të ngjashme