Këshilli për Shërbimin Civil ka pranuar 347 ankesa, disa persona rrezikojnë ta humbin vendin e punës

Prishtinë | 12 Dhj 2020 | 08:03 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka qenë jofunksional për një periudhë kohore për gati 2 vjet. Si pasojë e kësaj ankesat lidhur me procedurat konkurruese kanë mbetur pezull.

Kryetari i këtij këshilli Eshref Shabani ka folur në një intervistë për Ekonomia Online duke bërë të ditur se 870 ankesa të shërbyesve civilë kanë mbetur pa u shqyrtuar.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës prej datës 21 janar të vitit 2019 ka qenë jashtë funksionit sepse Kuvendi nuk e ka ushtruar funksionin e tij zgjedhor që t’i emërojë anëtarët e këshillit. Të gjitha ankesat që gjatë vitit 2019 kanë ardhur në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës kanë mbetur të pashqyrtuara ku gjithsej kanë qenë 872 ankesa që kanë ardhur gjatë vitit 2019 dhe kanë mbetur të pashqyrtuara”.

Shabani poashtu ka treguar  për EO se me fillimin e punës ky këshill ka marrë në shqyrtim 45 ankesa të këtij viti.

“Meqenëse Kuvendi i Kosovës me datën 8 tetor të këtij viti i ka emëruar 5 anëtarët të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil, në momentin që kemi filluar punën jemi kujdesur që ankesat të cilat janë me afat të vitit 2020 mos me lejuar me ju skaduar afati dhe kemi gjetur 45 ankesa në afat dhe i kemi vendosur të tërat ato ankesa të vitit 2020”.

Sipas Shabanit gjatë vitit 2020 kanë shkuar në këtë Këshill gjithsej 347 ankesa dhe ky numër ka rezultuar më i ulët se viteve paraprake.

“Në të njëjtën kohë nuk i lejojmë që të na skadojë afati i ankesave që vijnë gjatë vitit 2020 dhe deri më tani këshilli përfshi edhe ankesat e vjetra ka arritur t’i vendosë 102 ankesa të ankuesve në kuadër të Këshillit. Gjatë vitit 2020 janë pranuar 347 ankesa dhe në raport me vitet tjera ka dukshëm ankesa më pak nga shërbyesit civilë”.

“Siç duket ka ndikuar edhe pandemia në këtë numër të ankesave dhe arsye tjetër ka qenë hyrja në fuqi e ligjit të ri për zyrtarët publik, duke bërë që institucionet të mos shpallin konkurse, shumica e institucioneve. Gjithsej i kemi zgjidhur 62 ankesa për vitin 2020 të cilat i kemi gjetur në afat dhe që kanë ardhur ndërkohë. Siç e thashë edhe më herët për ankesat të cilave iu ka skaduar afati ne jemi duke punuar dhe e kemi bërë një plan që deri kah fundi i shkurtit ose mesi i marsit të vitit 2021 të tërat do të marrin përgjigje”.

Gjithashtu kreu i Këshillit ka njoftuar se lloji i këtyre ankesave ka qenë kryesisht për kontestim konkursi dhe sipas Shabanit pas shqyrtimit të këtyre ankesave ka gjasa që disa personave tu shkëputet marrëdhënia e punës.

“Vlen të theksohet se gjatë viti 2019 prej 870 ankesave 450 ankesa janë për kontestim konkursi që kandidatët që kanë qenë ankesa të shërbyesve civilë të pakënaqur me zhvillimin e proceduarve. Ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me kërkesa të ndryshme të marrëdhënies së punës si kompensimi material, ose ndonjë masë të shqiptuar nga ana e komisionit disiplinor”.

“Është shqetësuese që numri më i madh është i atyre që janë në procesin e rekrutimit të cilave pas vendosjes ka gjasa që një pjesë e atyre e kanë merituar me ua aprovuar ankesat, dhe disa njerëzve tu shkëputet marrëdhënia e punës në bazë të vendimit të Këshillit”.

“Ndërsa sa i përket ankesave të vitit 2019 ne jemi konsultuar me Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit, kemi pasur raportim edhe në komision të Administratës Publike. Pas shumë analizave kemi vendosur që të gjitha ankesat që janë në Këshill t’i trajtojmë. Edhe atyre që iu ka skaduar afati sepse në kuadër të Këshillit afati për vendimmarrje është 45 ditë dhe ne jemi në fazën e shqyrtimit të lëndëve të vitit të kaluar d.m.th të vitit 2019”.

Të ngjashme