KMDLNj i kërkon presidentit Thaçi amnistimin e disa të burgosurve për shkak të pandemisë

Prishtinë | 15 Pri 2020 | 12:23 | Nga Haldie Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi, amnestimin e të dënuarve që i plotësojnë kushtet.

Valetina Devolli, menaxher e projekteve në KMDLNj, në një intervistë për Ekonomia Online tha se personat e privuar nga liria po privohen edhe nga të drejtat e njeriut.

“Ne i kemi bërë një thirrje presidentit të Republikës për shkak se presidenti sipas kushtetutës  ka të drejtë të fal një numër të personave të privuar nga liria”.

“Ne i kemi rekomanduar presidentit që ta shfrytëzoj të drejtën e tij dhe të fal një numër të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore. Mirëpo edhe paneli për lirim me kusht do të duhej të mbante më tepër takime dhe të trajtonte këto raste”.

Ajo më tej ka thënë se personat që janë të moshës mbi 65 vjeçare dhe vuajnë nga sëmundje të rënda duhet që të lirohen, por që pas kapërcimit të epidemisë të ktheheshin në institucionin korrektues për të mbajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Sipas Devollit, me automatizëm duhet të lirohen të gjithë ata që u ka mbetur deri në 5 muaj burg, raporton EO.

“Institucionet e Kosovës të gjithë ato persona që janë të moshës mbi 65 vjeçare, ata që vuajnë nga sëmundje terciare apo sëmundje të rënda të lirohen në këtë situatë pandemike, për këta persona të ketë ndërprerje të dënimit dhe këtë periudhë pandemike të kalojnë në shtëpi dhe më pas të mund të ktheheshin në institucionin korrektues pjesën e mbetur të dënimit”.

“Të gjithë ata persona që kanë mbetje të dënimit deri në 5 muaj të lirohen me automatizëm”.

“Fatmirësisht ka pasur edhe një kërkesë të ministres Albulena Haxhiu që përmes komisionit për legjislacion të paraqes të drejtën ose mundësinë për të pezulluar dënimin e personave të privuar nga liria deri në këto momente nuk kemi informatë që komisioni janë takuar me ministren për t’i dhënë mbështetje kësaj nisme”.

Ndonëse ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga kreu i shtetit, ajo thotë se sipas informatave që kanë është filluar të punohen në këtë drejtim.

“Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare sipas informatave janë disa zhvillime që janë duke u punuar ose ka një iniciativë për të falur mirëpo ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga zyra e presidencës”.

Devolli ka komentuar edhe masat e reja të marra nga Qeveria në detyrë për kufizimin e lëvizjes. Sipas saj, këto masa nuk përbëjnë shkele të të drejtave të njeriut.

Ajo më tej ka shtuar se edhe pse është dita e parë e hyrjes në fuqi të vendimeve, te qytetarët ka pasur një konfuzion, raporton EO.

“E drejta e jetës  është një prej të  drejta themelore dhe më elementare të gjitha të drejtat e tjera janë derivate të kësaj të drejte të parë. E drejta e parë e cila duhet të mbrohet dhe të ofrohet për të gjithë qytetarët është e drejta e jetës”.

“Nëse e barasvlerësojmë të drejtën e jetës me lirinë e lëvizjes  atëherë ne si aktivistë të të drejtave të njeriut i japim të drejtës së jetës mandej të drejtave të tjera të cilat derivojnë nga e para”.

“Në këtë situatë pandemike ka qenë e domosdoshme marrja e disa masave ne kemi pasur edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nga marrja e masave të herës së dytë nga Qeveria e Republikës së Kosovës ne vlerësojmë që ndoshta qeveria do të duhej të merrte si shembull rastin e Shqipërisë ku masat për ndalim të qarkullimit nga ora 13 deri në mëngjes ka dhënë një rezultat pozitiv pasi numri i të infektuarve kanë shkuar duke rënë”.

“Ndonëse është dita e parë e vendimeve të reja ne kemi parë në mesin e qytetarëve një konfuzion, ka disa orare që qytetarët ankohen se janë të papërshtatshme në kryerjen e obligimeve në disa orare që janë shumë të vonshme ose shumë të hershme”.

Të ngjashme