Kompania “Pastrimi” bëhet me 10 kamionë të rinj

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 13:40 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompanisë Regjionale “Pastrimi” i janë shtuar edhe dhjetë kamionë të rinj, të cilët do të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve për një mjedis më të pastër.

Drejtori i kompanisë “Pastrimi” tha se pajisja me këta kamionë ka kushtuar 600 mijë euro, raporton Ekonomia Online.

“Sot për kompaninë ‘Pastrimi’ është një ditë festive sepse për herë të parë kemi arritë nga të hyrat vetanake ta bëjmë një investim kapital i cili kap shumën prej 600 mijë eurove. Sot ne jemi pajisë me dhjetë kamionë të rinj, të cilët janë djersë e këtyre punëtorëve këtu”.

“Falënderoj përzemërsisht të gjithë kryetarët e komunave dhe stafit të tyre për bashkëpunimin që e kemi pasë, për mirëkuptimin dhe përkushtimin që e kemi pasë që bashkarisht të bëjmë diçka në të mirë të qytetarëve”.

Salihu bëri të ditur se Komuna e Prishtinës do të pajiset me 5 kamionë të rinj, ndërsa komunat e tjera me nga një kamion, raporton EO.

“Kemi kënaqësinë që të gjitha komunave t’ua japim nga një kamion të ri, ndërsa komunës së Prishtinës pesë kamionë të rinj”.

“Ky është investim i tëri nga fuqia e kompanisë ‘Pastrimi’. Ne presim që pas vitit të ri, ta kemi edhe një donacion të fuqishëm nga Banka Gjermane, dhe në këtë formë ne po arrijmë t’i përmbushin standardet që qytetarëve t’u japim një shërbim më të mirë”.

Sipas Salihut, kompania “Pastrimi” ka 67 për qind rritje të numrit të klientëve në krahasim me vitin 2010, raporton EO.

“Në vitin 2010 kjo kompani ka pasur 44 mijë klientë, tani ka 85 mijë klientë, do të thotë që rritja e punës është diku për 67 për qind të numrit të klientëve, ndërsa fuqia punëtore është rritë për 27 për qind”.

Përpos rritjes së numrit të klientëve, ai përmendi edhe rritjen e të hyrave vjetore.

“Në vitin 2010 kemi pasë të hyra 1 milion e 300 mijë euro, tani i kemi të dyfishuara dhe i kemi 6 milionë e 300 mijë euro të hyra vjetore. Koeficientin e efikasitetit të punëtorëve e kemi pasë  në 2010-ën 8.9 punëtorë, tani e kemi 6.7 që do të thotë kemi rritje të efikasitetit për 30 për qind”.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka përgëzuar kompaninë “Pastrimi” për progresin e treguar, raporton EO.

“Ju përgëzoj për këtë progres të ndërmarrjes. Progresi juaj është në dobi për shërbime me të mira të qytetarëve. Fokusi ynë si komuna është që të krijohet ambient sa më i pastër dhe sigurisht që perfomanca e mirë e ndërmarrjes publike është jashtëzakonisht pozitive për të gjitha komunat”.

Ai ka thënë se furnizimi me këta kamionë ndihmon njësitë operuese për menaxhim më të mirë të mbeturinave.

“Ne po përpiqemi gradualisht të krijojmë një infrastrukturë ligjore, e cila do të na ndihmojë shumë që edhe njësitë tona të kenë ma shumë progres. Furnizimi me këta kamionë për njësitë që operojnë me pastrim në komunat tona, besoj do t’i ndihmojë kapacitetet e tyre për t’i menaxhuar më mirë”.

“Besoj në mbështetjen e të gjitha komunave në proceset e deritanishme dhe në proceset e ardhshme, me dobinë e vetme që me të vërtetë të ofrojmë shërbime për qytetarët”.

Të ngjashme