Komuna e Prishtinës ndan 50 mijë euro për të prekurit e tërmetit në Shqipëri

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 11:51 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me tërmetin që goditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së martës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se dje ka qenë ditë tragjike në Shqipëri derisa tregoi se kanë marrë vendim të ndajnë 50 mijë euro për Republikën e Shqipërisë për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

“Shpresojmë të ketë njerëz të gjallë. Dje kemi vazhduar kontaktet me palën në Shqipëri, me Erion Veliajn për të na njoftuar nëse kanë nevojë për ndihmë. Ndihmat që po mblidhen janë të paprecedentë. Mësohet se mbi 400 qytetarë kanë arritur në qytete të ndryshme.  Ajo që kemi diskutuar me Erionin e kam diskutuar se do të kemi kalimin e 50 mijë eurove. 50 mijë euro s’kanë bujë të madhe, por është shumë e mjaftueshme të tregojmë si kryeqytet të solidarizohemi”, tha Ahmeti, raporton EO. 

“Do të përdoren vetëm për pasojat e tërmetit. Kam pasur diskutim me ministren Besa Shahini që kërkon ndihmë për inxhinierë, sot janë mbledhur 15 inxhinierë që do të shkojnë në Shqipëri për dëmet e ndërtesave dhe shkollave për të parë a mund të fillohet mësimi”, tha ai.

Ahmeti tha se do të dërgojnë gjithçka që munden për të ndihmuar.

“Shoqëria jonë tregoi një ndjenjë të solidaritetit. Edhe ne kemi kaluar situata të rënda dhe të tjerët na kanë ndihmuar. Shprehin ngushëllime për të gjitha familjet që kanë humbur të afërmit në këto tragjedi”, tha Ahmeti.

Ai është pyetur se pse nuk ka pasur alarm në kohën e tërmetit i cili goditi edhe Kosovën. Ahmeti tha se epiqendra nuk ka qenë në Kosovë, por në Shqipëri dhe nuk kanë dashur të krijojnë panikë te qytetarët.

 “Nuk kemi dashur me kriju panikë. Kemi pasur nevoje me mbajt situatën e qetë. Sirena nuk bëjmë pa qenë të sigurt. Deri më tani kemi pasur mjaft thirrje për dëme, por do t’i analizojmë”, ka thënë Ahmeti, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Agim Kuleta,tha si komunë do të japin kontribut me mjete financiare për familjet e prekura nga tërmeti.

“Ngjarja qe ndodhi në Shqipëri ka bërë të anulojmë aktivitetin, jemi sot në mbledhje të jashtëzakonshme që përveç të japim kontributin tonë, të solidarizohemi dhe të ndihmojmë me mjete financiare për të gjitha familjet e prekura”, tha ai.

Sami Borovci nga AKR-ja propozoi që të formohet Taskë Forca për t’iu dalë në ndihmë familjarëve me ushqim dhe veshmbathje.

 “Të gjithë jemi të prekur nga kjo tragjedi, është më e pakta që ne mund të bëjmë. Shpreh ngushëllime të familjeve të viktimave të vdekura. Do të ishte mirë të ketë një organizim të institucionit të Prishtinës të ndihmojmë, propozoj një Taskë Forcë për strehim të atyre familjeve, për ushqim”, tha Borovci.

Agim Gashi nga LDK-ja tha propozoi që në një seancë tjetër të shqyrtohet pozicionimi i tyre në fushën e emergjencave.

“Problemi i emergjencave asnjëherë s’është ngritur. Pos kësaj që kemi rend dite, propozoj që në seancën e ardhshme të shqyrtojmë pozicionin tonë në fushën e emergjencave”, ka thënë ai.

Për këtë Ahmeti tha se kanë punuar në këtë drejtim. “ jemi e vetmja komunë qe kemi sistemin e alarmit. Seancën e radhes do flasim për menaxhimin e emergjencave”, tha ai, raporton EO.

Fiknete Bejta nga AAK-ja ka shprehur ngushëllime për të gjitha familjet në Shqipëri dhe për familjen Abazi që humbi dy djemtë.

 “Lus Kuvendin të kemi solidaritet për këtë familje dhe ta mbështesim”, tha ajo

Ahmeti tha se nëse ka nevojë do ta ndihmojnë, por fillimisht do flasin me kryetarin e Gjilanit, Lufti Haziri.

Leonora Shabani- Bajraktari nga Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar tha se sektori i emergjencave duhet të angazhohen për banim të përkohshëm për qytetarët që vijnë nga Shqipëria.

“Ne kërkojmë nga Drejtoria e Shërbimeve, sektori i emergjencave të sigurohen për banim të përkohshëm për qytetarët nga Shqipëria. Vlera që kemi pa në vendim është shume jo e mjaftueshme, por shpresojmë që në një takim të ardhshëm të kemi një ndihmë më të madhe nga Komuna”, tha ajo

Për këtë Ahmeti tha se nëse do të ketë nevojë për ndihmë më të madhe do të njoftohen nga Shqipëria.

“Nëse ka nevojë për më shume do njoftohemi”, tha ai.

Mjetet do të derdhen në xhirollogarinë e hapur të Republikës se Shqipërisë për këtë fatkeqësi natyrore. Për zbatimin e këtij vendimi do kujdeset Kryetari i Komunës dhe Drejtoria e Financave.

Lexo më shumë:

Të ngjashme