Komuniteti shqiptar mbledh fonde për kongresistin Ritchie Torres

Prishtinë | 29 Maj 2021 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Ish kongresisti Eliot Engel i bashkohet veprimtarit Harry Bajraktari dhe komunitetit në darkën përkrahur tashmë përfaqësuesin e çështjeve shqiptare në Kongresin Amerikan, Ritchie Torres.

Një grup rreth 50 veprimtarësh shqiptarë u mblodhën në ndërtesën komerciale “Landing Hudson River (HRL)”, unike në të gjithë Westchester dhe Rockland, për bukurinë e hapësirës, me pronar Harry Bajraktarin.

Mori pjesë edhe ish-kongresisti Eliot Engel me bashkëshorten, Pat Engel, të cilët u pritën me respekt dhe ngrohtësi nga të gjithë të pranishmit, përfshirë këshilltarin Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues i Diasporës, dhe aktivisti John Cavelli, e të tjerë.

Në cilësinë e mikpritësit Harry Bajraktari drejtoi darkën e fushatës duke uruar mirëseardhjen dhe falënderuar secilin prej kontribuuesve, shkruan Illyria.

“Sonte ne kemi një nder dhe privilegj, se në mesin tonë, kemi mikun e madh, të gjithë shqiptarëve, atë që avokatojë çështjen shqiptare, dhe u bë zë në Kongres, pa u ndalur dhe i pa kursyer për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo janë, ish kongresistin e Nju Jorkut, Eliot Engel”, tha Bajraktari, duke shtuar se “Po sot, jemi bërë së bashku në këtë mbrëmje, me ju bashkë-veprimtar të çështjes kombëtare, që me dekada kontribuuat dhe sakrifikuat me gjithë qenien e juaj në SHBA, përsëri bashkë, që të kontribuojmë në këtë fushat për ngritjen e fondeve për bashkëkryetarin e Grupit për Çështjet Shqiptare të Kongresit–Ritchie Torres”.

Ritchie Torres do të jetë përfaqësuesi i shqiptarëve në Kongresin e 117-të të SHBA-së, duke “zëvendësuar” ish kongresistin Eliot Engel, miku i madh i shqiptarëve, i cili për herë të parë pas 32 vjetësh, nuk është më pjesë e Kongresit.

Ritchie Torres: Krenar që do të përfaqësoj shqiptarët në Kongresin legjislaturën e 117

“Jam krenar që do të jem bashkëkryetari i ri për çështjet shqiptare në Kongresin e 117-të, duke vazhduar udhën e ish-kongresistit të nderuar Eliot Engel. Së bashku me anëtar të tjerë të Grupit për Çështjet Shqiptare të Kongresit– do të çoj më para interesat e shqiptarëve në Washington. Në New York ka shumë shqiptarë, ndaj jam krenar që përfaqësojë këtë komunitet në Kongres”, tha Torres.

Të ngjashme