KQZ certifikon partitë dhe listat e kandidatëve

Prishtinë | 23 Maj 2017 | 16:52 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar subjektet politike dhe kandidatët e subjekteve shqiptare për zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit.

Ndërsa, lidhur me subjektet politike nga komunitetet pakicë, KQZ vendosi që të bëjë vetëm certifikimin e subjekteve politike, ndërsa kandidatët e tyre të certifikohen më së largu ditën e nesërme (e mërkurë), pasi institucionet përkatëse të verifikojnë përkatësinë etnike të disa prej kandidatëve të tyre.

Gjatë kësaj mbledhjeje, kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, bëri të ditur se është duke u vazhduar me përgatitjet lidhur me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

“Numri i tanishëm i votuesve është 1 885 147. Risia për këto zgjedhje është që online të bëhet kërkesa apo ndërrimi i qendrës së votimit. 37 718 votues janë të rinj që kanë marrë dokumentet e Kosovës. 33 542 emra janë larguar nga lista e votuesve, disa prej tyre janë ata që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës”, shpjegoi ai.

Duke folur për periudhën e aplikimit për regjistrim të votuesve nga jashtë vendit, e cila është përmbyllur më 22 maj, Halimi bëri të ditur se numri i aplikacioneve për regjistrim është 11 818 aplikacione.

Rrustemi: Të hetohen 3 890 plikot e ardhura nga Serbia

Në mbledhjen e KQZ-së, anëtar i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ngriti si shqetësim dërgesën përmes postës që ka ndodhur dje nga Serbia prej afro 3 890 aplikacione, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se kjo është e dyshimtë dhe “ardhja e tyre në mënyrë të pashpjegueshme lë për të dëshiruar”.

“Kjo është shkelje e rëndë dhe KQZ-ja duhet t’i lajmërojë autoritetet përkatëse për të hetuar këtë rast. Këto pliko mund të jenë mbushur edhe në Kosovë pasi që ato erdhën në mënyrë të pashpjegueshme në orët e vona”, tha Rrustemi.

Anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti, nga radhët e LDK-së tha se domosdo po hapet çështja e votuesve jashtë vendit.

“Ne kemi vendosur disa afate këtu në KQZ dhe atyre iu jemi përmbajtur. Ne jemi në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe nuk mund të bëhet një kauzë politike dhe të sulmohet KQZ-ja. Aty nuk ka asgjë të vërtetë”, tha Hamiti

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së tha se subjektet politike duhet ta dinë që kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme atëherë edhe procedurat i kanë të jashtëzakonshme.

Ai tha se nuk është e drejtë të sulmohet KQZ-ja.

Ndërsa, Adnan Rrustemi ishte këmbëngulës që të hetohen aplikacionet e ardhura nga Serbia.

”Ne duhet të shqetësohemi, sepse për mua këtu ka prapavijë kriminale. Nuk ka të drejtë askush individualisht të sjellë aplikacione për një numër të votuesve. Ne si KQZ duhet ta dimë kush i ka sjellë këto aplikacione”, tha ai.

Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se KQZ-ja i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për t’i mundësuar mërgatës të votoj në zgjedhjet e 11 qershorit.

Të ngjashme