Kritikohen institucionet për mungesë të të dhënave për zyrtarët institucional

Prishtinë | 06 Dhj 2018 | 11:12 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Open Data Kosovo” edhe këtë vit ka organizuar takim ndërmjet zyrtarëve publikë të Kosovës dhe Shqipërisë nga Komunat, Qeveria, Gjyqësori dhe Parlamenti.

Aty u bë prezantimi i rritjes së transparencës në institucione.

Sipas kësaj organizate transparenca përfaqëson një kusht kyç të demokracisë pasi që ajo u mundëson qytetarëve të marrin informacion dhe njohuri të nevojshme për një pjesëmarrje të barabartë në jetën politike dhe për një vendim-marrje efektive dhe mbajtjen e institucioneve të përgjegjshme për politikat që ato udhëheqin, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha ekzekutive e “Open Data Kosovo” prezantoi transparencën si një fakt shumë të rëndësishëm institucional.

“Qeverisja e hapur apo transparente bazohet në katër parime organizative: transparencë, qasshmëri, integritet dhe ndërgjegjësim. Këto parime duhet të zbatohen për të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, nga ekzekutivi qendror deri tek vetëqeverisja lokale, në parlament dhe sistemin gjyqësor”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti tha se transparenca në Kuvendin e Kosovës ka një rritje të vazhdueshme.

“Kuvendi i Kosovës viteve të fundit ka bërë përpjekje për potencialin në rritje të transparencës. Shoqëria civile në Kosovë është shumë profesionale. Kuvendi i Kosovës nuk ka asnjë dokument gati më që nuk e bën transparent. Tash kemi një platformë të re e cila në realizimin e saj do ta kemi edhe në gjendje më të mirë Kuvendin në drejtim të transparencës. Nuk jemi vetëm ne që kemi përgjegjësinë para atyre që na kanë votuar, por janë shoqëria vetë ata që na nxisim të jemi më të përgjegjshëm. Duhet ta bëjmë të gjithë bashkë për zhvillimin e shtetit”, ka thënë Pajaziti.

Blerina Ramaj, menaxhere për projekte në “Open Data Kosovo”, kishte disa kritika për institucionet e Kosovës drejtë transparencës.

Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë një mungesë të të dhënave për zyrtarët institucional.

“Përgjatë 3 muajve prej dhjetorit të vitit 2017 deri në mars të këtij viti kemi bërë matjen e hapjes institucionale. Gjatë hulumtimit tonë kemi pa se çka ka qenë e paraqitur online për qytetarët pa pasur nevojë të qasen në dokumentacione. Problem tjetër çfarë është vërejtur është publikimi i buxhetit në institucionet përkatëse. Ne rekomandojmë që ky publikim të bëhet 3 muajsh e jo brenda vitit. Tjetër problem janë mungesa e të dhënave të zyrtarëve publik. Kemi komunën që ka filluar të krijojë data baza në buxhetin e shpenzimeve”, tha ajo, raporton EO.

Ajo tha se progres në rritjen e transparencës kanë shënuar gjykatat dhe prokuroritë.

“Çka kemi pa interesant, gjykatat dhe prokuroritë kanë filluar me u hap shumë sepse ne gjithmonë kemi atë tendencën se çka po ndodhë në sistemin e drejtësisë. Pikat më të larta që ka shënuar Kosova është tek pjesa i integritetit. Edhe pse ekziston një rregullore për parandalimin e konfliktit të interesit, zyrtarët gjatë pyetësorëve e kanë pas problem se çka është konflikti i interesit”, tha Ramaj.

Të ngjashme