Leci: Mund të na shkojnë vite pa arritur ta inspektojmë një biznes

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Valon Leci, ka bërë bilancin e punës së këtij institucioni, raporton KTV.

Ai është ankuar për numrin e vogël të inspektorëve të punës, por edhe për kushtet në të cilat punojnë vetë këta punonjës. Ka thënë se janë vetëm 37 inspektorë që duhet të mbulojnë gjithë territorin e Kosovës.

“Duhet ta kemi të qartë se inspektori përveç që monitoron rregullat dhe kushtet e punës në një ndërmarrje, edhe vet është punëtor. Inspektorët në Kosovë, punojnë në kushtet më të pafavorshme, në stres dhe presion, me paga tejet të ulëta. Me pagë më të vogël se 500 euro, ballafaqohet me llojlloj njeriu në terren”, ka thënë Leci.

Ai ka thënë edhe inspektori është i rrezikuar kur të shkojë për të monitoruar kushtet e punës, për shembull në katin e 10 në ndërtimtari apo diku tjetër.

“Janë vetëm 37 inspektorë të punës që duhet të inspektojnë gjithë territorin e Kosovës, që ballafaqohen me mijëra ankesa, të cilave brenda 30 ditëve duhet dhënë një përgjigje”, ka thënë Leci.

“Zakonisht kur të inspektohet një biznes, bëhet edhe riinspektimi për të parë se a janë përmirësuar kushtet. Por mund të shkojnë vite të tëra pa mundur të inspektohet një biznes për të drejtat e punëtorëve”, ka thënë më tej ai.

Leci ka thënë se ajo që bie në sy është fakti se gjithnjë e më shumë po marrin ankesa nga të punësuarit në institucione shtetërore, ato të nivelit komunal e qendror.

Kjo e gëzon atë, se megjithatë pesha dhe besimi në Inspektoratin që e drejton po rritet.

I pyetur nëse kushtet e pafavorshme dhe pagat e ulëta mund të bëjnë që inspektorët e punës të rrëshaqin në korrupsion, Leci ka thënë se “inspektorët e punës shumica janë ekspertë, juristë që e njohin mirë ligjin”.

“Inspektorët duke e njohur mirë ligjin nuk do të duhej të lëshoheshin në gjëra të tilla”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje që Qeveria e ardhshme t’i kushtojë shumë më shumë rëndësi Inspektoratit të Punës.

Të ngjashme