Lufthansa planifikon të shkurtojë 22 mijë vende pune

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Kompania ajrore gjermane Lufthansa ka njoftuar se planifikon të shkurtojë deri në 22 mijë vende pune për të përballuar rënien në udhëtime që është shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, njofton BBC.

Gjiganti gjerman ka parashikuar një rikuperim të ngadalshëm.

Lufthansa ka njoftuar se gjysma e vendeve të shkurtuara të punës do të jetë në Gjermani. Shpreson të arrijë marrëveshje për masat me sindikatat deri më 22 qershor.

“Synimi është që të hapet rruga për të shpëtuar sa më shumë vende pune në Lufthansa Group”, është njoftuar nga kompania.

Kompania ka më tepër se 135 mijë punëtorë në mbarë botën. Gati gjysma prej tyre është në Gjermani.

Lufthansa ka arritur një marrëveshje shpëtimi në vlerë 9 miliardë euro me Qeverinë e Gjermanisë për të shpëtuar nga kolapsi. Qeveria gjermane do të marrë 20 për qind të aksioneve në kompani, të cilat synon t’i shesë në fund të vitit 2023.

Mirëpo, marrëveshja ende duhet të aprovohet nga aksionarët e firmës dhe Komisioni Evropian.

Të ngjashme