Lul Raka bën thirrje për vaksinim, thotë se varianti Delta i coronavirusit ka afër 56 nënvariante

Prishtinë | 14 Nën 2021 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Mikrobiologu Lul Raka, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të cilët nuk janë vaksinuar, të marrin vaksinat anti-Covid-19.

Përmes një postimi në Facebook, Raka ka bërë të ditur se vetëm varianti Delta i coronavirusit ka afër 56 pasardhës apo nënvariante.

Raka ka thënë se bota do të njoh edhe të tjera nënvariante, teksa u shpreh se arma për të luftuar kundër nënvarianteve të reja është vaksina.

“Varianti Delta i coronavirusit ka afër 56 pasardhës apo nënvariante. “Delta plusi” ose AY.4.2 është vetëm njëri prej tyre. Deri në fund të pandemisë bota do të njohë edhe variante të reja, sepse mutacionet që ndodhin në viruse janë fenomen normal në biologjinë e tyre. Nuk ka nevojë për panik nga nënvarianti i ri, sepse armën më efikase të përballjes me të e kemi në duart tona – Vaksinën! Atë thjesht duhet ta shfrytëzojmë”, shkruan Raka.

Ai tha se edhe ndaj këtij nënvarianti, vaksina është shumë efikase në uljen e rrezikut të vdekjes, sëmundjes së rëndë apo shtrimit në spital.

Raka ka bërë të ditur po ashtu se në Kosovë, 93% e personave të shtrirë në spital nuk kanë qenë të vaksinuar.

“Prej fillimit të pandemisë i kemi mësuar masat për parandalim, kontroll dhe inspektim ndaj Covid-19, por shpesh nuk i kemi zbatuar në praktikë. Në kohën e rritjes së numrit të rasteve dhe vdekjeve kudo përreth nesh, të gjithë ata që ende nuk janë vaksinuar, tash është koha më e mirë për vaksinim. Sot, stoqet me vaksina janë plot; nuk keni nevojë për termin dhe mund ta merrni vaksinën kudo”, shkruan Raka.

Të ngjashme