MASHT-i e SBASHK-u ende përballen nëpër gjykata për kompensimin e orëve të humbura

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Pak ditë pasi që Kosova ishte radhitur në mesin e vendeve më cilësinë më të dobët në arsim, në kuadër të testit PISA, dy instanca të rëndësishme në vend në fushën e arsimit, po vazhdojnë që temë të diskutimit ta kenë kompensimin e orëve të humbura.

Këto orë nuk ishin mbajtur në fillim të vitit të kaluar, si pasojë e grevës në të cilën ishin futur punëtorë të arsimit parauniversitar në Kosovë, si shenjë e pakënaqësisë që kishin kryesisht me paga.

Pasi ishin humbur shumë orë mësimi, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), kishte marr vendim që këto orë të kompensoheshin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, e pakënaqur me një vendim të tillë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), kishte ushtruar padi ndaj MASHT-it, duke kërkuar anulimin e vendimit për kompensimin e orëve të humbur.

Lidhur me këtë rast, pas disa shqyrtimeve gjyqësore, Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të vitit 2019, kishte  refuzuar si të pabazuar padinë e SBASHK- ut, duke e lënë në fuqi vendimin e MASHT- it, për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Por, pas ankesës ndaj këtij aktgjykimi të ushtruar nga SBASHK-u, Gjykata e Apelit kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe përmes aktvendimit kishte aprovuar si të bazuar padinë e paditësit dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

“Miratohet si e bazuar ankesa e paditëses SBASHK, ndërsa prishet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative A.nr. 552/2019, i datës 25.04. 2019 dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhej në aktvendimin e Apelit, për të cilin në tetor të vitit 2019 kishte njoftuar SBASHK-u.

E seanca e rigjykimit është caktuar të mbahet më 19 dhjetor 2019. Kjo seancë është caktuar nga gjykatësja Arjeta Sadiku.

Në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, të cilin e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhej se vendimi i MASHT-it është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se kompensimi i orëve të humbura me rastin e grevës ka për qëllim zhvillimin arsimor të nxënësve dhe aftësimin e tyre social dhe profesional, kjo në përputhje me parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar të përcaktuara me Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Ky aktgjykim ishte marr nga gjykatësja Arjeta Sadiku, ku thuhet se vendimi MASHT-it nuk është diskriminues, e as ndëshkues për paditësin, e as mësimdhënësit të cilët janë të obliguar me këtë vendim.

Padia për këtë rast ishte ushtruar pasi që MASHT-i, më 27 shkurt 2019, kishte marr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik, si pasojë e grevës.

Në vendimin e MASHT-it thuhej se orët e humbura do të zëvendësohen pesë ditë gjatë pushimit pranveror, pesë ditë gjatë vitit shkollor dhe për pesë ditë do të zëvendësohen pas përfundimit të vitit shkollor.

Por, kundër këtij vendimi kishte qenë SBASHK-u, ku përmes padisë së ushtruar në gjykatë më 4 mars 2019, kishte kërkuar anulimin e këtij vendimi, me pretendimin se ai është i kundërligjshëm.

Përkundër pretendimeve të palës paditëse, gjykata ka lënë në fuqi vendimin e atakuar, me arsyetimin se i njëjti është i bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, dhe se MASHT-i mban përgjegjësi kryesore për planifikimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë në sistemin e arsimit parauniversitar.

Për më tepër, në aktgjykimin e shkallës së parë thuhej se në pamundësi të kompensimit të orëve të parealizuara, mësimdhënësi është i obliguar të gjej formën e përshtatshme për realizimin e objektivave përkatëse të nxënies.

Sipas gjykatës, kompensimi i orëve është përgjegjësi e vetë mësimdhënësit, e që në rastin konkret me vendimin e të paditurës është përcaktuar forma e kompensimit të orëve të humbura.

“Mbi këtë bazë, gjykata vlerëson se vendimi i të paditurës i goditur me padi është vendim i drejtë dhe i ligjshëm, sepse i njëjti është marr pas vërtetimit të të gjitha fakteve relevante, konform dispozitave ligjore në fuqi” thuhej në aktgjykim.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 4 mars 2019, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Kjo pasi që me vendimin e SBASHK-ut, të datës 10 janar 2019, të gjitha institucionet arsimore në Kosovë kishin qenë në grevë nga data 14 janar, duke kërkuar rritjen e koeficientit të pagës sipas Ligjit për Paga.

E lidhur me orët e humbura me rastin e grevës, MASHT-i, më 27 shkurt 2019, kishte nxjerr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës, ku sipas këtij vendimi, orët e humbura do të zëvendësohen pesë ditë gjatë pushimit pranveror, pesë ditë gjatë vitit shkollor dhe për pesë ditë do të zëvendësohen pas përfundimit të vitit shkollor.

Por, me një vendim të tillë nuk ishte pajtuar SBASHK-u, pasi që sipas kësaj sindikate, ky vendim kishte qenë në kundërshtim me Ligjin për Grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë.

Të pakënaqur me këtë vendim, SBASHK-u kishte ushtruar padi, me ç ‘rast kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e këtij vendimi.

Të ngjashme