Mungojnë 8 nga 17 të akuzuarit se lënduan zyrtarët policorë në protestën e 2015-ës, shtyhet sërish seanca

Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të mungesës së të akuzuarve Labinot Qelaj, Abnor Veliqi, Avni Shabani, Avni Avdyli, Korab Loti, Besim Mula, Naman Ahmeti dhe Liman Alshiqi ka dështuar seanca fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata ngarkohen se në janar të vitit 2015, kanë hedhur gjësende në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe si pasojë e gjuajtjes me gurë dhe mjete të tjera si shufra druri, lëndime trupore kanë pësuar katër policë.

Për shkak të mungesës së të akuzuarve, gjykatësja Vlora Pacolli-Rexhepi konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Pacolli-Rexhepi ka thënë se për të akuzuarin Loti, nga fletëkthesa rezulton adresa jo e plotë, ndërsa për të akuzuarit Mula dhe Qelaj, gjykata nuk ka pranuar fletëkthesë për të konstatuar se të njëjtë e kanë pranuar ftesën, andaj ndaj tyre gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese.

Kurse, për të akuzuarit Shabani dhe Avdyli gjykata nuk ka pranuar fletëkthesë për të konstatuar se stacioni policor i ka pranuar urdhëresat, andaj gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Gjykata po ashtu ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarve Veliqi, Alshiqi dhe Ahmeti, pasi të njëjtët kanë munguar edhe pse ishin të ftuar me procesverbalin e seancës së kaluar, për ditën dhe kohën e mbajtjes së seancës.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, në këtë seancë, prezent ishin prokurori Besart Mustafa dhe të akuzuarit Fidan Fazliu, Gentrit Hajdari, Korab Rudari, Eglantin Demi, Besmir Peci, Besnik Peci , Esat Pasha, Rexhep Isufi dhe Premton Ibërdemaj.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 janar 2017, Labinot Qelaj, Fidan Fazliu, Gentrit Hajdari, Abnor Veliqi, Korab Rudari, Avni Shabani, Eglantin Demi, Avni Avdyli, Besmir Peci, Korab Loti, Besnik Peci, Besim Mula, Naman Ahmeti, Esat Pasha, Rexhep Isufi, Liman Alshiqi  dhe Premton Ibërdemaj, akuzohen se më 24 janar 2015, secili me veprimet e tij të dhunshme dhe me ndihmën e pjesëmarrësve në veprimet e huliganëve kanë hedhur gjësende në drejtim të objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin hedhur gurë, sende këto të përshtatshme për të shkaktuar dëme ashtu që kanë thyer xhamat nga të gjitha pjesët e objektit, dy kioska në mes të objektit të Qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës, një xham në Objektin e Ambasadës së Malit të Zi, lokalin e restorantin “Center”, xhamat e lokalit, karriget dhe tavolinat, pronë e të dëmtuarit Isak Jerliu, si dhe lokalin e quajtur “Brilant”, me pronarë Shani Makolli.

Aktakuza thotë se lëndime ka pësuar kamerieri Remzi Shala, kanë dëmtuar tavolinat duke iu është shkaktuar dëm të konsiderueshëm material, po ashtu është dëmtuar edhe automjeti “Nissan Torrano”, pronë ATK-së.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e goditjeve me gurë dhe mjete të tjera të përshtatshme si shufra druri, të cilat i kanë përdorur dhe hedhur në drejtim të policisë, lëndime trupore kanë pësuar të dëmtuarit, policët, Ramadan Rrustaj, Kadri Grajqevci, Bekim Zogjani dhe Afrim Rrustemi.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç veç kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.4, lidhur me par. 1,  të Kodit Penal.

Të ngjashme