Nga sot fillojnë reshjet e borës, parashikimi i motit për dy ditët e ardhshme

Prishtinë | 06 Jan 2022 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se pas këtyre ditëve me temperatura të larta, dukshëm mbi vlerat e mesatareve, Kosova do të ndikohet nga masat relativisht të ftohta, duke ju afruar vlerave të temperaturave mesatare të muajit janar.

Në komunikatën e IHMK-së, thuhet se Kosova do të ndikohet nga masat e ftohta, që do të ndikojnë në rënie temperaturash dhe reshje të dobëta bore në viset e ulëta përgjatë së premtes dhe së shtunës.

“Kjo situatë meteorologjike do të kushtëzoj mot kryesisht të vranët dhe vende-vende me riga shiu, ndërsa në viset e larta parashihen fjolla bore. Reshjet parashihen sot dikur vonë dhe gjatë natës. Borë me intensitet të dobët mund të bie edhe në viset e ulëta, kryesisht në qendër dhe në pjesën veriperëndimore të Dukagjinit, por që përgjithësisht nuk parashihen reshje të dendura të asnjërës formë”, thuhet në njoftim.

Sipas IHK-së, temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-6m/s.

Të ngjashme