Nis puna për realizimin e projektit të ujërave të zeza për rajonin e Prishtinës

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 15:05 | Nga

Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe Zyrën regjionale të Thesarit Francez, sot ka mbajtur takimin e parë të Komitetit Drejtues për realizimin e Projektit të ujërave të zeza në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Ky takim, shënon fillimin e proceseve për realizimin e projektit në fjalë.

Në këtë takim morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala, ambasadori i Francës në Prishtinë Didier Chabert, udhëheqësi i Zyrës Regjionale të Thesarit Francez Jean-Marie Demange, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha, nënkryetari i Komunës së Obiliqit Nysret Kelmendi, kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” Ilir Abdullahu, si dhe zyrtarë tjerë të delegacionit të Republikës së Francës dhe Republikës së Kosovës.

Projekti i ujërave të zeza në Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë është i një rëndësie të veçantë për qytetarët e komunave respektive dhe përgjithësisht ambientin në nivel të Kosovës. Përveç avancimit të rrjetit ekzistues të ujërave të zeza, do të ndërtohet edhe një fabrikë bashkohore për trajtimin e këtyre ujërave. Në këtë fabrikë do të trajtohen ujërat e zeza sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe pastaj uji i trajtuar do të zbrazet në lumenj.

Ky projekt vlerësohet se do të arrijë një investim në vlerë rreth 86 milionë euro. Nga kjo shumë, 66 milionë euro do të huazohen me kushte shumë të volitshme nga Qeveria e Republikës së Francës, kurse pjesa e mbetur do të jetë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Të ngjashme