Nuk dihet numri i aborteve në Kosovë, kritikohet qasja e mjekëve ndaj grave që abortojnë

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 16:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gazetarja Leonora Aliu ka prezantuar të gjeturat e hulumtimit të saj katërvjeçar “Tregtia me abortet”.

Gjatë prezantimit, Aliu tha se, sipas ligjit, grave në Kosovë u lejohet aborti, raporton Ekonomia Online.

“Nëse aspirojmë të jemi shoqëri demokratike duhet me ndërru dhe me bë hapin e parë që grave me ia siguru të drejtën në qasje dhe në të drejta elementare. Aspekti i parë trajton legjislacionin në Kosovë me të drejtën e gruas në abort. Kam pa se Kosova për dallim nga disa shtete e ka një ligj që është bazë që rregullon të drejtën e gruas në të drejtën për abort, ka të drejtë ta ndërpresë shtatzaninë”.

Aliu tha se gjatë hulumtimit të saj ka vërejtur se qasja e stafit të QKUK-së ndaj grave që abortojnë ka qenë shqetësuese.

“Jashtëzakonisht shqetësuese ka qenë qasja e stafit të klinikës publike në QKUK. Abortin e trajton si vrasje dhe krim të bërë me duart e nënës. Deri në 2016 kemi pasë të vendosur një afishe ku thuhet se aborti është vrasje me duart e nënës. Qasja e stafit nuk ka ndryshuar përkundër që afisheja është hequr”.

“Nga të dhënat del se një regjistër i personelit mjekësor, prej 40 mjekëve në Klinikën e Gjinekologjisë, të gjithë kanë klinika private. Kam rastisë në raste që grave ua kanë sugjeru që të kryejnë aborte në klinikën e tyre private. Ka shumë pacientë që shkojnë për abort në Shkup. Janë 3-4 kërkesa për abort në javë”.

“Regjistrimi i ndërprerjes së shtatzanisë del që disa nuk e bëjnë regjistrimin, madje disa vajza kërkojnë mos me e regjistru aborti dhe kjo mbështetet nga institucioni. Pas pesë vitesh, regjistrat asgjësohen”.

“Shteti i Kosovës nuk ka të dhëna sa aborte kryhen dhe nuk ka asnjë raport të institucioneve as për shkaqet e aborteve dhe asnjë të dhënë”.

“Aspektet tjera janë stigmat. Aborti shtëpiak po mundësohet të kryhet në sy të shtetit, duke mos kontrollu shitjen e një ilaçi për abort. Në 18 barnatore, 15 kanë thënë me recetë të vijnë, një ka thënë cili mjek se nëse e njoh ta jap”.

Shefqet Lulaj nga Shoqata e Gjinekologëve ka kërkuar që të hiqet e drejta e abortit në ordinanca private, raporton EO.

“Ka pjesën reale në këto të gjetura. Ligji e lejon abortin deri në javën e gjashtë me kërkesën e gruas shtatzënë, me një konsultë të gjinekologut. Është fakt që nuk respektohet ai treditëshi i konsultës, kjo është shkelje e ligjit. E kemi limitin më të ulët të abortit, e kemi dhjetë javë, Shqipëria e ka 12 javë”.

“Përpos ndërprerjes së vullnetshme që bëhet në javën e 10-të, është edhe ndërprerja pas javës së 10-të. Ligji parasheh se kalon nëpër një komision. Fëmija mos me pasë një gisht, ata kërkojnë me e ndërpre. E kemi 40 vjet arkivën, ajo është çështje tjetër pse juve nuk ua kanë dhënë ato. Dokumentacioni është aty”.

“Në të ardhmen, në ligj duhet të hiqet e drejta e ambulancave private”.

“Ambulancat private nuk i plotësojnë kushtet për abort artificial. Duhet me u respektu këshillimi para ndërprerjes së abortit dhe këshillimi e operacionit duhet të bëhet në të njëjtin vend, sepse aty mund të ketë konflikt interesi”.

Teuta Haxhiu ka thënë se shqetësim është mungesa e informacioneve mbi numrin e abortimeve në Kosovë. Ajo është shprehur e gatshme të marrë iniciativën se rekomandimet e sotme t’i adresojë edhe në grupin e grave.

“Pos rekomandimeve të doktorit, është problem që duhet me fillu se sa kemi në plan programet, librat, informimin e saktë dhe sa munden qytetarët me iu qasë se cilat janë të drejtat e tyre të garantume me ligj”.

“Duhet të punohet më shumë që të ketë edukim më të madh seksual nëpër shkolla. Nuk janë ligjet që janë të këqija, Kosova nuk vuan në këtë aspekt, por vuan më shumë në zbatimin e tyre”.

Sociologia Sibel Halimi tha se duhet të analizohen faktorët që i shtyjnë gratë të vendosin për abort, raporton EO.

“Duhet të analizohet më detajisht deri te faktorët të cilët e shtyjnë një grua që e merr një vendim për ndërprerje të shtatzanisë. Këtë po e them sepse në Kosovë një grua shumë rrallë e ka vetë këtë vendim”.

“Aborti nuk duhet parë si problem moral, kombëtar por duhet të identifikohet dëshira se pse një grua vendos ta ndërpresë një shtatzani. Ne tekste shkollore kemi pak, vetëm në biologji mund të flasim për trupin, ndërsa në tekste tjera nuk ka asgjë për edukim seksual”.

Përpos çështjes së abortit, sipas Halimit, duhet të diskutohet edhe çështja e rikthimit të virgjërisë.

“Është e rëndësishme që kurrikula e Kosovës të jetë më e rifreskuar, sepse kemi vajza e djem për shkak të mosinformimit vijnë në ngacmime seksuale. Mendoj që bashkarisht me këtë duhet të diskutohet edhe virgjëria. Kemi raste të qepjes së virgjërisë. Ky është problem i shoqërisë sonë patriarkale, që e kontrollon trupin e gruas”.

Të ngjashme