OJQ-të në Ferizaj kërkojnë mirëmbajtjen e objekteve shkollore

Prishtinë | 18 Jan 2021 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka kërkuar nga komuna e Ferizajt të mirëmbahen objektet shkollore derisa një pjesë e tyre nuk janë dezinfektuar për të nisur gjysmëvjetorin e dytë.

Kjo OJQ , ka njoftuar se tashmë ka vizituar shumicën e objekteve shkollore për të parë gjendjen teknike dhe higjienike.

“Kemi vizituar dhjetëra objekte shkollore dhe kemi parë se aty ka nevojë të bëhet dezinfektimi i hapësirave, pastrimi dhe ngjyrosja e mureve. Po ashtu në ish objektin e vjetër të shkollës ‘Gjon Serreçi’ kërkohet investime dhe mirëmbajtje të objektit. Ngjashëm edhe në shkollën e vjetër të fshatit Jezercë”, ka thënë Kenan Gashi drejtor në këtë OJQ.

Sipas tij komuna duhet të angazhohet që nyjet sanitare në të gjitha objektet shkollore të mirëmbahen për shkak të situatës së pandemisë.

“Në disa shkolla nyjet sanitare nuk mirëmbahen megjithëse gjendemi në një situatë të pandemisë, andaj ne së shpejti do t’i drejtohemi edhe komunës me një shkesë zyrtare lidhur me defektet nëpër objekte shkollore”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në komunën e Ferizajt ka thënë për Kohën se të gjitha shkollat në Ferizaj kanë nisur gjysmë vjetorin e dytë, pavarësisht se gjatë ditëve të fundit shtatë mësimdhënës gjenden në izolim për shkak të infeksionit me pandeminë.

“Paraprakisht kemi bërë dezinfektimin dhe pastrimin e objekteve shkollore, kurse në disa shkolla kemi pasur telashe me ngrohje por gjatë vikendit i kemi riparuar ato. T gjitha shkollat fillore po e zhvillojnë mësimin në kategorinë A kurse një pjesë e shkollave të mesme në kategorinë B. Për shkak se shtatë mësimdhënës i kemi me Covid19, në ato paralele mësimi do të vazhdoi online për pak ditë sepse mësimdhënësit janë në fazën e fundit të infeksionit dhe po besoj se shpejt do të rikthehen në mësim”, ka thënë Llabjani.

Ai ka shtuar se të gjitha shkollat janë pajisur me dezinfektues dhe me materiale tjera shpenzuese me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme