Pak protestues në protestën e 1 Majit

Prishtinë | 02 Maj 2019 | 08:07 | Nga Ekonomia Online

Një numër i vogël i qytetarëve ka marrë pjesë të mërkurën në protestën e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Rritja e pagës minimale, siguria në punë dhe sigurimet shëndetësore ishin vetëm disa nga kërkesat e protestuesve. Organizatorët e protestës u shprehën të pakënaqur me numrin e vogël të atyre që u janë bashkëngjitur në protestë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Shumë pak qytetarë i janë përgjigjur ftesës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për të marrë pjesë në protestën e organizuar të mërkurën me 1 maj në Prishtinë. Pavarësisht problemeve të shumta të punëtorëve, me të cilat ata për çdo ditë përballen nëpër vendet e tyre të punës, gatishmëria e tyre për të protestuar ka qenë gjithmonë minimale. Organizatorët e protestës së djeshme nuk u shprehën të kënaqur me numrin e punëtorëve që kishin dalur në protestë.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë para protestuesve se në krahasim me pakënaqësitë që punëtorët kanë numri i protestuesve ka qenë i vogël. “Edhe pse jemi në njësi më të vogla në krahasim me pakënaqësitë që janë duke u reflektuar, faleminderit për pjesëmarrjen. Mesazhi sigurisht do të jepet edhe në emër të kolegëve tanë që çdo ditë kanë ankesa. Një numër sigurisht se punon edhe në ndërtimtari dhe nuk ka guxuar të na bashkëngjitet”, ka thënë ai, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ai ka listuar edhe kërkesat sociale për të cilat tha se janë edhe protestat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme