Parku Inovativ Trajnues në Prizren i gatshëm të ofrojë strehim për rreth 800 persona

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 19:54 | Nga Ekonomia Online

Parku Inovativ Trajnues në Prizren do të jetë në dispozicion si strehë e përkohshme e të gjithë atyre që kanë pësuar nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë.

Qeveria e Kosovës së bashku me Ambasadën Gjermane në Prishtinë, zyrën e GIZ-it në Kosovë dhe Komunën e Prizrenit, kanë nisur përgatitjet e nevojshme për pranim-strehim, kujdes shëndetësor dhe ushqimor në Parkun Inovativ dhe Trajnues.

“Deri në 800 shtretër dhe hapësira akomoduese do të jenë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga kjo tragjedi. Si Kryeministër në detyrë menjëherë kam vendosur komunikim me institucionet përgjegjëse shtetërore në Shqipëri për të koordinuar hapat e mëtejmë për zbatim të këtij aksioni”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se Parku Inovativ Trajnues në Prizren të bëhet shtëpi e të gjithë atyre që e kanë pësuar nga tërmeti me pasoja tragjike që goditi Shqipërinë.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi se për të njëjtën kauzë, do të angazhohen edhe ekipet e Kazermës së FSK-së në Prizren, por edhe të gjitha institucionet dhe mekanizmat e nevojshëm.

“Është vendosur që të gjitha ndihmat e qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës të grumbullohen në Kazermën e FSK-së në Prizren, të cilat pastaj në mënyrë institucionale do të përcillen për në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, jemi duke u angazhuar që të mobilizojmë edhe instanca të tjera të ndihmës dhe strehimit, duke aktivizuar çdo institucion të nevojshëm për raste të tilla”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, ka vlerësuar se ndihma dhe gatishmëria e qytetarëve, institucioneve tona, bizneseve dhe vullnetarëve, për t’u dalë në ndihmë financiare, strehuese dhe humane bashkëkombësve tanë në Shqipëri, të prekur pas tërmetit me pasoja tragjike, është përtej çdo pritjeje.

“Faleminderit që hapët zemrat dhe dyert tuaja”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj, i cili në këtë situatë emergjente, si Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës po qëndron në Kosovë, për të menaxhuar gjithë angazhimin institucional që Qeveria e Kosovës e ka nisur, menjëherë pas kësaj tragjedie.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, po ashtu ka njoftuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e Kosovës që tashmë kanë marrë detyrat e tyre dhe janë bërë bashkë me ekipet shqiptare në zonat e prekura nga tërmeti.

“Ushtria e Kosovës, Policia, ekipet nga KEK, Trepça, kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, ekipet e tjera emergjente do të vazhdojnë të jenë në Shqipëri, për aq kohë sa është e nevojshme angazhimi Ynë!, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.

Të ngjashme