Përveç PE-së, edhe Freedom House: Qeveria dhe bizneset ndërhyjnë tek mediat, përfshirë RTK-në

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Raporti i Parlamentit Evropian dhe Raporti i Freedom House për Kosovën, ndër të gjeturat e përbashkëta e kanë edhe statusin e mediave në Kosovë për vitin 2021, për të cilin nuk është se kanë mendim pozitiv. Përkundrazi, këto dy raporte kanë gjetur ndërhyrje në lirinë e medias nga politika dhe bizneset gjatë vitit të kaluar, e madje edhe presione e gjuhë fyese ndaj gazetarëve.

Në raportin e Freedom House thuhet se kushtetuta e Kosovës e garanton lirinë e shtypit. Megjithatë, sipas tyre, qeveria dhe interesat e biznesit ushtrojnë ndikim në media, përfshirë RTK-në, shkruan lajmi.net.

“Kushtetuta garanton lirinë e shtypit dhe një sërë mediash funksionojnë në Kosovë, përfshirë Radio Televizionin e Kosovës. Megjithatë, qeveria dhe interesat e biznesit ushtrojnë ndikim të panevojshëm në linjat editoriale, duke përfshirë edhe RTK-në. Gazetarët raportojnë ngacmime dhe kërcënime të shpeshta; disa gazetarë u sulmuan në vitin 2021 ndërsa raportonin në veri të Kosovës”, thotë raporti.

Në anën tjetër, gjuha fyese ndaj gazetarëve i ka rënë në sy edhe Parlamentit Evropian i cili në raportin e tij për Kosovën ka adresuar kritika për ndodhitë e fundit.

Në këtë raport, të cilin e ka publikuar REL, thuhet se duke rikujtuar rolin e mediave si shtyllë të demokracisë, bëhet ftesë për mbrojtje të gazetarëve nga presionet politike dhe thuhet se gjuha fyese ndaj gazetarëve është e papranueshme.

Po ashtu, kërkohet që të ketë transparencë më të madhe të mediave, përfshirë edhe të pronësisë së tyre.

Agresiviteti i pushtetarëve me mediat i bie në sy edhe Parlamentit Evropian, adresohen kritika
Fyerjet dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve në Kosovë tashmë janë shndërruar në trend.
Lexo me shumë
lajmi.net
E nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët shtetërorë, militantë të subjekteve politike e funksionarë të rëndësishëm i kanë fyer, ofenduar e sulmuar mediat në forma të ndryshme.

Para disa ditësh, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u soll vrazhdë me një gazetare, veç pse ajo e pyeti për punësimin e motrës së tij. Sveçla nuk u kursye aspak duke e quajtur pyetjen e saj si “budallaqe”.

E qasje të njëjtë me mediat pati edhe kryekëshilltari i Albin Kurtit, Luan Dalipi. Ky i fundit, në një postim të tijin thoshte se mediat e tanishme me raportimet e tyre të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara.

Reagim për sjelljen ndaj mediave kishte pasur edhe ndaj këshilltarit të presidentes Osmani, Blerim Vela. Vela, në një postim në Twitter, i pati quajtur mediat si “të ish-regjimit pronto”, ani pse vet kishte qenë pjesë e pushteteve të kaluara.

Këto janë vetëm disa nga rastet më të fundit për të cilat ka reaguar edhe Parlamenti Evropian. Raste të ngjashme kishte pasur edhe në vitin 2021.

Lajmi.net në fund të vitit të kaluar e kishte bërë një përmbledhje me sjelljet skandaloze të zyrtarëve të pushtetit me mediat e gazetarët:

Krejt në fillim të marrjes së detyrës, qeveria Kurti 2 u përball me kritika të mëdha sa i përket gjendjes me pandeminë COVID-19, mosblerjen e vaksinave dhe manovrimin me situatën.

Në atë kohë, Gazeta Insajderi kishte publikuar dokumente të Ministrisë së Shëndetësisë të cilat pretendonin se ish-ministri i Shëndetësisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia kishte zvarritur nënshkrimin e kontratës për sigurimin e vaksinave anti-Covid në Kosovë. Kjo bëri shumë bujë.

Lidhur me këtë rast, policia e Kosovës zbarkoi në zyrat e Gazetës Insajderi dhe intervistuan drejtorin e këtij mediumi, gazetarin Parim Olluri. Kjo nga ekspertët e medias u cilësua si shkelje e skajshme e ligjieve për gazetarët dhe mediet.

Por, kjo nuk ishte e tëra. Rënia për 8 vende sa i përket lirisë së medies në Kosovë mund të reflektohet edhe në një rast tjetër. Atë të intervistimit të gazetarit Mentor Gjergjaj.

Ai u intervistua në Prill të vitit 2021 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për çka kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që shprehën shqetësimin lidhur me këtë çështje, por si shumë çështje të tjera, edhe kjo mbeti në heshtje.

E Lëvizja Vetëvendosje problemet me mediat i ka të shumta. Gjatë periudhës së fushatës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Mitrovicë kishte linçuar portalin lokal “Jepi Zë” duke thënë se po i shërben një partie të caktuar politike. Lidhur me këtë kishte reaguar edhe AGK-ja, duke e quajtur të papranueshëm një sjellje të tillë.

Haki Abazit të Lëvizjes Vetëvendosje “problem” i doli me “Albanian Post”. Sipas raportimeve në media, Abazi thuhet të ketë kërcënuar një gazetar të mediumit, derisa një audioincizim u publikua në media.

Grupi, tashmë i mbyllur #MeKryeministrin e kishte nisur një fushatë kundër disa gazetarëve. Ata i kishin quajtur këta gazetarë “të Klanit Pronto”, përçka ngjalli reagime të mëdha në opinionin publik. Këtij grupi, përkrahje të hapur i kishte dhënë edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

E deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja, duke harruar që është vet me partinë e tij në pushtet, i kishte quajtur mediat në Kosovë “pro-establishment”, duke i kritikuar këto të fundit, vetëm se e kritikonin qeverinë e Kosovës.

“Demant: portalet pro-establishment po qarkullojnë një lajm të pavertetë se kinse me propozim të Armend Muja dhe Mimoza Kusari Qeveria do të paguaj faturat e rrymës në veri. Ne fakt është e kunderta – ishte opozita që kerkonte që Qeveria të paguaj. Në Kuvend ka kaluar propozimi që 1) shpenzimet për devijim të energjisë paguhen nga mjetet vetanake të Kostt dhe (2) Qeveria del me plan veprimi për inkasim të faturave në afat prej 6 muaj”, tha Muja në një postim në Facebook.

E duket se gjithë kjo përplasje e zyrtarëve të LVV-së me mediet është shpjeguar nga deputeti i këtij subjekti politik, Mefail Bajqinovci. Ai në një paraqitje televizive kishte deklaruar se “mediat i janë turrë” kryeministrit Kurti.

“Ne duhet të flasim edhe për arritjet. Por, mediat i janë turr vetëm Albin Kurtit, duan ta shohin aty ku është me së keqi. Po duan vetëm që të shohin çfarë është keqpërdor, mirëpo ketë nuk po mund ta gjejnë askund”, kishte thënë ai.

Kohë për t’u marrë me mediat i doli edhe ideologut të VV-së, Hysamedin Ferajt. Ai kishte shkruar në Facebook’un e tij se disa gazetarë “punojnë falas për Serbinë”. Kjo gjuhë e tij ishte dënuar ashpër nga AGK-ja.

Me mediat probleme pati edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ministria që ai e udhëheq gjithashtu e udhëheq procesin e hartimit të projektligjit të ri të pagave, e drafti i këtij projektligji u publikua nga mediat javë më parë. Ai këtu i kishte kritikuar mediat duke i quajtur “pseudolajme” publikimet.

Probleme me mediat pati edhen një deputet i VV-së, Enver Dugolli. Ai kishte kritikuar mediat që raportuan se në Ministrinë e Mbrojtjes si këshilltar ishte emëruar një person i afërm i kryeparlamentarit Glauk Konjufca e që u tha të jetë axha i tij. Ai në postimin e tij kishte thënë “E paskan “zbuluar” ujin e nxehtë.”, për gazetarët.

Gjuhë më të ashpër ndaj mediave kishte përdorë Sami Kurteshi i VV-së, përfaqësues i këtij subjekti politik në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Ai në një postim në Facebook të titulluar “KRIMI MEDIAL NË KOSOVË”, kishte akuzuar mediat se po dezinformojnë e po keqinformojnë.

“KRIMI MEDIAL NË KOSOVË! Krimi – nuk është informatë! Vjedhja – nuk është informatë! Mashtrimi – nuk është informatë! Gënjeshtra – nuk është informatë! Shpifja – nuk është informatë! Fyerja – nuk është informatë! Fshehja e vrasjeve politike nga pushteti vrasës – nuk është informatë! Përkrahja e vrasësve kriminelë – nuk është informatë! Arsyetimi i copëtimittë Kosovës – nuk është informatë! Zhvatja e pronës publike – nuk është informatë! Injoranca profesionale – Gënjeshtra – nuk është informatë! E shumë veprime të tjera kriminale – nuk janë informatë! As janë lajm! Janë thjeshtë krim njerëzor e ligjor! Fatkeqësisht, kjo është fytyra, përmbajtja, shpërfaqja dhe veprimi i shumicës së mediave, sidomos atyre audiovizuele dhe elektronike në Kosovë. Në këtë shumësi krimi medial, moti, shumë moti janë bërë gati të padukshëm gazetare/ët dhe mediat në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Mediat, shumica absolute e tyre ishin dhe janë njëkohësisht produkt dhe mashë e krimit të organizuar institucional të pushteteve njëzetvjeçare në Kosovë. Prandaj, nuk mund të ketë as përmbajtje, as shpërfaqje e as veprime të tjera nga krijuesit dhe sponzorët e vet. Krimi medial dhe i mediave në Kosovë nuk mund të mbetet temë tabu në Kosovë! Tregu medial në Kosovë nuk lirohet ngakrimi brenda vetes pa një katarzë të brendshme.”, kishte shkruar Kurteshi në Facebook.

Të ngjashme