PIPS: Organizimi i brendshëm, një prej sfidave kryesore të MPJ-së

Prishtinë | 01 Gus 2018 | 11:24 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ka publikuar raportin “Rishikim kritik i organizimit dhe zbatimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”.

Butrint Berisha, koordinator i projekteve në PIPS, tregoi për gjetjet e raportit lidhur me sfidat që ka Ministria e Punëve të Jashtme, të cilat sipas PIPS-it, duhet të përmirësohen në bazë të rekomandimeve të nxjerra, raporton Ekonomia Online.

Berisha tha se njëra prej sfidave kryesore që ka MPJ-ja është organizimi i brendshëm i ministrisë, përkatësisht struktura organizative.

“Duhet të jenë së paku dy drejtorë të përgjithshëm që menaxhojnë me departamentet tematike dhe sekretari i përgjithshëm të jetë zyrtari kryesor brenda strukturës së shërbimit civil në MPJ”, tha Berisha duke treguar për rekomandimet e nxjerra nga raporti.

Ai tha se duhet të themelohet edhe Agjencia e Kosovës për Zhvillim Ndërkombëtar, pasi që është e nevojshme për t’i forcuar lidhjet me vendet e tjera, raporton EO.

“Të themelohet në kuadër të MPJ-së Agjencia e Kosovës për Zhvillim Ndërkombëtar. Sipas gjetjeve të raportit thuhet se kjo agjenci mund të funksionojë pa ndonjë strategji apo plan ambicioz në fillim, mirëpo me një përkrahje të nevojshme buxhetore që i lejon të luajë rol qendror në mirëmbajtjen dhe forcimin e lidhjeve me shtet që tashmë kanë njohur Kosovën e të cilat janë shtete ende në zhvillim ose të pazhvilluara. Kjo agjenci do të mundësonte që Kosova t’u përgjigjet krizave dhe konflikteve ndërkombtare dhe të ndërtojë lidhje të tjera me shtetet tjera”, tha Berisha.

“Të krijohet Kolegji i Diplomatëve si një platformë konsultative brenda kabinetit  të ministrit ku diskutohen çështjet e politikës së jashtme”, tha ai.

Fatmir Haxholli, nga Ministria e Punëve të Jashtme, tha se Ministria e Punëve të Jashtme e mirëpret këtë raport, pasi që është punuar nga një subjekt neutral, i cili tregon të vërtetat dhe i ndihmon MPJ-së në përmirësimin e problemeve dhe sfidave që ka.

Haxholli tha se MPJ si institucion i ri brenda saj ka staf të moshës mesatare të re e cila i ndihmon institucionit të punojë më shumë me ide të reja.

“MPJ është institucion i ri dhe është në formësim duke provuar të gjejë rrugën e vet afatgjate dhe pavarësisht se është institucion i ri ka kuadro të mira pasi që mosha mesatare në këtë institucion është e re në krahasim me institucionet e tjera”, tha Haxholli.

Të ngjashme