Platforma “Kosova që duam” u bën thirrje institucioneve për krijimin e bazës ligjore për luftimin e COVID-19

Prishtinë | 15 Kor 2020 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Anëtarët e platformës “Kosova që duam” ka bërë thirrje për hartimin e legjislacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës, që do të ofronte bazën ligjore, të nevojshme për masa më efektive në luftën kundër COVID-19.

Kosova që duam, është platformë në të cilën organizatat e ndryshme të shoqërisë civile dhe qytetarët, me vullnet të lirë bashkëpunojnë për avokim të përbashkët dhe të fokusuar për edukim për punës dhe zhvillim, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qeverisje të mirë, politika të qëndrueshme dhe të drejta sociale dhe shëndetësore, që mundojnë jetë dhe punë të dinjitetshme për çdo qytetarë të Kosovës.

Deklarata është nisur nga 19 organizata civile, aktive në jetën publike, përfshirë edhe BSPK-ja dhe sindikatat tjera.

“Legjislacioni adekuat për menaxhimin e COVID-19 është i nevojshëm për të menaxhuar situatën. Gjendja e tanishme krijon pasiguri që minon përpjekjet e implementimit të masave aktuale. Qytetarët meritojnë të kenë mbështetje ligjore dhe të veprojnë bazuar në Legjislacionin i cili siguron shërbime dhe mbrojtje për të gjithë. Meqë Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se nevojitet qartësim i mëtutjeshëm i mandatit të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria duhet të paraqes legjislacionin e nevojshëm për të lejuar transparencë të plotë për përgjigje ndaj COVID-19. Kosova që duam thërret për një sistem efikas të sigurimit shëndetësor dhe shoqëror që ofron shërbime të qasshme dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët”, thuhet në deklaratën e Platformës. “Në kohë si këto, kur qytetarëve u kërkohet që të respektojnë masat mbrojtëse të nevojshme për mbrojtjen e jetëve të tyre dhe familjeve të tyre, shteti duhet po ashtu të respektojë përgjegjësitë e tij. Prandaj një ligj adekuat për luftimin e COVID-19 është i nevojshëm për të mundësuar një përgjigje efektive dhe transparente kundër pandemisë”.

Të ngjashme