Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent ndikoi në rritjen e transparencës në shpenzimin e parasë publike

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 13:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja FOL ka shënuar njëvjetorin e lansimit të “Portalit të Prokurimit të Hapur dhe Transparent”, portal ky i cili u cilësua me një rëndësi të madhe nga të pranishmit, pasi që sipas tyre ndihmon në qasje më të lehtë në dokumente, raporton Ekonomia Online.

Portali, i cili është ndihmuar nga programi i USAID-it “Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”, u tha se ka ndikuar në rritjen e transparencës në shpenzimin e parasë publike.

Drejtoresha Ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se portali është dizajnuar si një burim për mediet, organizatat e shoqërisë civile si dhe qytetarët, të cilët duan të hulumtojnë më shumë rreth kontratave që nënshkruhen nga autoritetet kontraktuese.

“Jemi këtu në njëvjetorin e lansimit të Portalit të Prokurimit të Hapur. Ideja dhe qëllimi kryesor i këtij portali ishte rritja e transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve sa i përket shpenzimeve të parasë publike. Portali është dizajnuar në atë mënyrë që të jetë burim informimi për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët që dëshirojnë të hulumtojnë më shumë rreth kontratave që nënshkruhen nga autoritetet kontraktuese”.

“Ne si FOL në këtë rast kemi edhe kërkesën tonë që të gjitha kontratat të cilat publikohen në prokurim ta gjejmë edhe një mënyrë që të mos i publikojmë në PDF si deri më tani, po sipas standardit ‘Open Data Standart'”, tha Demolli-Nimani.

Anëtari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Sami Uka, tha se ata në fillim e kishin marrë me skepticizëm dhe nuk kishin besuar në suksesin e këtij portali, pasi që sipas tij, ka qenë një fazë kritike e implementimit të platformës.

“Do të jem shumë i hapur, të them që në kohën kur është biseduar për këtë portal, ne kemi qenë shumë skeptikë dhe nuk kemi besuar aspak që kjo do të realizohet, sepse për këtë ka shumë arsye, ishim në një fazë shumë kritike të implementimit të platformës për të cilën gjithashtu kishim skepticizëm, frikë edhe mosbesim nëse do të arrijmë me sukses ta përfundojmë atë proces”.

“Çështja e portalit ishte në momentin kritik, sepse kishte nevojë të ruhej stabiliteti i platformës edhe ashtu i brishtë në ato faza dhe gjithashtu kishte nevojë për shumë reforma legjislative të cilat nganjëherë nuk ishin të lehta”, shtoi Uka.

Besnik Krasniqi, gazetar i gazetës “Koha Ditore”, tha se ky portal është shumë i qasshëm për gazetarët, pasi iu jep atyre indikacione për aspektet të cilat lidhen me korrupsionin.

Krasniqi, këtë portal, e cilësoi si një “revolucion”.

“Portali i prokurimit mund të iu ndihmojë shumë gazetarëve në pikën ku lidhet me kohën. Ai është në gjendje me të dhënë një ‘fotografi’ për secilin operator ekonomik, sa kontrata i fiton, prej cilave autoritete kontraktuese, prej cilave institucione. Pra portali që është lansuar nga FOL, të ofron shumë pista dhe ti si gazetar mund t’i qasesh problemit, e shkurton maksimum kohën, të jep indikacione për aspekte që lidhen edhe me korrupsionin për mua përbënë revolucion në çdo fushë”, tha Krasniqi.

Christina Davis, drejtoreshë e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID Kosova, tha se ky portal ofron qasje me lehtësi në dokumente zyrtare.

“Ky portal ju jep mundësinë që të keni qasje në informata qofshin ato të qeverisë, qoftë të institucioneve të tjera. Është e lehtë dhe praktike edhe për gazetarët që i kemi këtu që të shohin edhe për kontratat e bizneseve”, tha Davis, raporton EO.

Elbasan Racaj, nga FOL, prezantoi modulet e reja të Portalit Prokurimi i Hapur dhe Transparent me të cilat është pasuruar ky portal gjatë këtij viti.

“Në portal tash ekziston edhe data e fillimit të realizimit të kontratës dhe data e përfundimit, kërkimi në bazë të emrit të pronarit të një biznesi, moduli i abonimit i cili do të iu ofroj gazetarëve dhe hulumtueseve që të njoftohen për të gjitha kontratat e nënshkruara nga një autoritet
kontraktues apo edhe për një industri të caktuar”.

Hamdi Hoxha nga Administrata Tatimore e Kosovës tha se ky portal mund t’i shërbejë shumë edhe ATK-së. “Nga ajo që po shoh në këtë portal, ky mund të jetë një burim shumë i mirë informimi edhe për ATK-së në mënyrë që të përcjell bizneset që marrin tenderë dhe të bëj krahasime nëse po kryhen të gjitha detyrimet ndaj ATK-së”, tha Hoxha.

Të ngjashme