Prishtina mbushet me flamuj amerikanë, 48 orë para votimit të ushtrisë

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 09:44 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në sheshet kryesore dhe në hyrje të kryeqytetit janë vendosur flamuj të aleatit kryesor të Kosovës.

Stolisja e Prishtinës me flamujt e ShBA-së vjen 48 orë para votimit të ushtrisë dhe vetëm një ditë pasi u mësua se Amerika do ta ndihmojë Kosovën me fonde të reja.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë për Ekonomia Online, se vendosja e flamujve të ShBA-së në sheshet e Prishtinës, është bërë me kërkesë të protokollit të shtetit.

“Janë vendosur me kërkesë të protokollit te shtetit. Çfarëdo pyetje që keni ju lutem drejtohuni tek ata”, ka thënë Tahiri.

Qytetarët janë shprehur entuziastë për formimin e ushtrisë, duke falënderuar Shtete e Bashkuara të Amerikës për ndihmën që i ka dhënë Kosovës, sidomos

Jeton Latifi, tha se kosovarët janë të lidhur me Amerikën, duke shtuar se formimi i ushtrisë është vulë e shtetendërtimit.

“Këtë vendim e presim me shumë entuziazëm, është dashtë shumë më herët mirëpo siç thitë një fjalë, ndoshta është më mirë vonë se hiç. Është një vendim shumë domethënës për Kosovën, është një vendim shtetformues për Kosovën, shteti nuk bën pa ushtri”.

“Duke marrë parasysh edhe historinë nëpër të cilën kemi kaluar populli, sigurisht se me më shumë entuziazëm e presim këtë vendim. Sigurisht jemi ngushtë të lidhur me këta flamuj të vendosur sot në shesh sepse falë këtij shteti ne sot si shtet ekzistojmë”.

“Falë përkrahjes të të cilit ne e kemi krijuar këtë shtet deri në këto hapa dhe falë këtij shteti ndërtimi i Kosovës është dhënë ashtu edhe përkrahja për formimin e ushtrisë”.

Ndërsa Idriz Morina, ka kërkuar që të punohet më tepër në gjitha drejtimet.

“Ishalla shkon mbarë, ishalla punohet pak më tepër. Të gëzuar jemi normalisht”.

Sadik Rexha, tha se Kosova me ushtri është dashur të bëhet, raporton EO.

“Është një gjë më e shenjtë për popullin tonë. Më herët është dashtë me u krijuar, me pasë mujtë sa ka qenë këtu i ndjeri Ibrahim Rugova, por falë zotit dhe Amerikës që na përkrahë ka me u realizuar”.

Kurse Rexhep Shala, ka kërkuar që të gjithë të jenë bashkë kur janë në pyetjet proceset e rëndësishme.

“Shumë i emocionuar për këtë, ishalla kryhet me sukses. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar dhe suksese në formimin e ushtrisë”.

Edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Phillip Kosnett, ka thënë se shteti i tij e përkrah formimin e ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve ligjore.

Dje u mësua se ShBA-ja do t’i dhurojë Kosovës dhjetëra miliona dollarë shtesë në kuadër të Sfidave të Mijëvjeçarit.

Të ngjashme