Protestë kreative kundër masave – Kllokoqi: Po angazhohemi ta sigurojmë vetë vaksinën

Prishtinë | 08 Pri 2021 | 14:34 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të gjitha lokalet e gastronomisë në gjithë vendin nuk kanë punuar as të enjten, pas hyrjes në fuqi ta masave anti-Covid, raporton Ekonomia Online.

Por kreu i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokqoi, i cili njëherit është pronar i lokalit “Bagolina” në Prishtinë, ka zgjedhur një mënyrë kreative që të protestojë kundër masave të Qeverisë.

Të gjithë lokalin Kllokoqi e ka mbushur me kukulla të ulura në tavolina, për të inskenuar një ditë të zakonshme pune.

Ai ka thënë për Ekonomia Online se përmes kësaj proteste kreative kanë dashur që të tregojnë se si do të duhej të dukej lokali në këtë kohë.

“Puna në lokalin tonë po funksionon zero, jemi të mbyllur dhe kuptohet që e kemi menduar se është pak e padrejtë, për gastronominë sepse nuk është bërë një zgjidhje adekuate. Ne kemi vendosur që të bëjmë një protestë kreative brenda lokalit tonë. Kjo është përmes disa maskotave që i kemi vendosur, kështu do të dukej një ditë normale e biznesit tonë “Bagolinës”. Këto maskota janë momentalisht në vendet e rajonit pasiqë po e dijmë që të gjithë po udhëtojnë dhe po i frekuentojnë vendet tjera. Nuk e kemi parë të nevojshme këtë masë pasiqë këta njerëz qarkullojnë nëpër vendet tjera neve vetëm me na ndërpre punën” është shprehur ai.

Kllokoqi po i konsideron të paarsyeshme masat e Qeverisë që obligojnë shërbimet e gastronomisë që të pezullojnë punën për 12 ditë.

Poashtu ai ka njoftuar se do të angazhohen si shoqatë që të sigurojmë vaksinat anti-Covid për stafin e punëtorëve të gastronomisë.

“Disa anëtarë të kryesisë së kryesisë së shoqatës e kanë bërë një deklarim që nëse nuk mundet shteti të sigurojë vaksinat atëherë sa i përket stafit tonë ne do t’i sigurojmë vet, do t’i blejmë vet, vetëm të na jepet e drejta t’i blejmë ato vaksina që të mund të funskionojmë. Këto masa që janë vendosur nuk i kemi parë asnjë herë si burim infeksioni gastronomia, sepse nuk është vërtetu kjo” ka shtuar ai.

Poashtu Kllokoqi ka treguar se janë në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Financave për kompenzimin e dëmeve.

“Sot isha në takim me Ministrin e Financave, Hekuran Murati ku biseduam rreth pagesës së përgjysmë të pagave reale të punëtorëve, për sa kemi pagu kontribute për punëtorë, për aq të kompenzohen. Kjo na është premtuar që deri më datë 1 maj do të kompenzohen pagat dhe qiratë përgjysmë dhe ka mbetur që të vazhdojnë bisedimet” ka thënë ai.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Të njëjtat ndalohen edhe në hapësirat e brendshme të shërbimeve gastronomike të marketeve, furrave të bukës, burektoreve, qebaptoreve, pikat e shitjes së karburanteve.

Kurse shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”. Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

LEXONI EDHE:

Të ngjashme