Punëtorët e pakënaqur me pagën minimale, protestat e grevat po u rrezikojnë vendin e punës

Prishtinë | 21 Mar 2019 | 10:54 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Edhe pse në fund të vitit 2017, Këshilli Ekonomik Social, pjesë e të cilit janë sindikatat, Oda Ekonomike dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mori vendim që paga minimale të rritet nga 170 në 250 euro, kjo nuk u zbatua asnjëherë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se mosrritja e pagës minimale në Kosovë, është politikë e Qeverisë së Kosovës dhe partive.

Zgjidhje për këtë pakënaqësi të punëtorëve privat, sipas Azemit, nuk janë as grevat dhe protestat. Madje, ai thotë se këto veprime sindikale po e rrezikojnë edhe vendin e punës së punëtorëve.

“Ne për çdo ditë jemi duke bë protesta, greva. Unë jam i gatshëm tu prijë gjithë kësaj mase të pakënaqur por e kanë pru punëtorin në pozicion që në moment nëse e bën një grevë ose një protestë ia rrezikon edhe atë trohë kafshatë të gojës që ka me e marrë dhe mund të frikësohet nga kjo. Megjithatë jemi të bindur, nuk ka gjasë që kjo gjendje të vazhdojë së paku edhe një vit si është, sepse populli është lodhë”, tha Azemi për Ekonomia Online.

Sipas kryesindikalistit të punëtorëve privat, kryeministri Ramush Haradinaj, po e shtyn çështjen e pagës minimale për të fshehur disa të bëma të partive politike.

“Më tepër është një hap politik se sa që ka diçka të qëllimshme, sepse sa i përket pagës minimale ai e ka procedurën të gatshme dhe është çështje për të cilat ndoshta e ka për t’i mbuluar të bëmet jo të mira të shumë partive politike në pushtet dhe me këtë gjest e bëri këtë hap”, u shpreh ai.

Ndërsa nismën e Partisë Socialdemokrate për interpelancë në Kuvendin e Kosovës, pikërisht për çështjen e Pagës Minimale, Azemi e quajti praktikë për të fituar vota.

“PSD absolutisht nuk e përcolli në Parlament debatin lidhur me pagën minimale. Ishte një hobi i tyre për të përfituar vota, në praktikë nuk ka asgjë”, tha ai.

Azemi tha se e vetmja rrugëdalje për rininë kosovare është largimi nga vendi për një jetë më të mirë në vendet evropiane.

Ai kritikoi edhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, në lidhje me deklaratën e tij, se në Kosovë duhet të punohet edhe me 150 euro.

“Janë këta njerëz që po e udhëheqin shtetin, për të cilin e kanë kapë nga koka dhe nuk e lënë të marrin frymë. I vetmi rrugëtim për të cilën zgjidhje po shihet për rininë e Kosovës është dalja jashtë për të cilën unë kam një bindje se këta njerëz duhet të japin llogarinë e vetë. Përderisa Fatmir Limaj thotë se duhet të punohet edhe me 150 euro, po ta pyesni Fatmir Limën sa anëtarë të familjes së tij apo sa të afërm të tij i punojnë me 150 euro. Unë kam bindjen që asnjë nuk mbetet nën 1500 euro”.

Azemi u shpreh se presioni më i madh ndaj institucioneve është fakti se në dy vitet e fundit kanë ikur më shumë se 75 mijë punëtorë nga Kosova.

Të ngjashme