GLPS: Kosovarët mendojnë se institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk janë efikase dhe të pavarura

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka organizuar tryezë diskutimi me temë “Performanca e Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial sipas Këndvështrimit dhe Vlerësimit të Qytetarëve”. Aty u diskutuan dhe analizuan sfidat dhe vështirësitë e identifikuara në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe pakënaqësia dhe mosbesimi i qytetarëve kundrejt sistemit të drejtësisë.

Gjatë kësaj tryeze u bë prezantimi i botimit të katërt të Indeksit të Performancës së Sistemit të Drejtësisë në Kosovë. Në të është paraqitur trendi i performancës dhe efikasitetit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë pesë viteve të fundit, si dhe shkalla e kënaqshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve vartëse të sistemit të drejtësisë.

Indikatorët matës të performancës së gjykatave dhe prokurorive në vend kanë treguar performancë të luhatshme të tyre gjatë pesë viteve të monitoruara. Edhe pse në raste gjykatat dhe prokuroritë kanë regjistruar vit të suksesshëm vitin 2017, sikurse Gjykatat Themelore, Dhoma e Posaçme, Prokuroria e Apelit dhe Prokuroritë Themelore, në shumicën e tyre ato vazhdojnë të mos arrijnë të ndërtojnë një rritje të qëndrueshme në performancën.

Kjo joqëndrueshmëri në performancë, së bashku me dështimet e tyre në rastet e mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë vëmendjen e publikut, kanë diktuar drejtpërdrejtë në formësimin e opinionit publik kundruall punës së tyre. Të gjeturat e raportit tregojnë se perceptimi publik ndaj institucioneve të drejtësisë vazhdon të jetë i ulët me përmasa shqetësuese. Për më tepër ky perceptim vazhdimisht është përkeqësuar duke ndjekur trend negativ që nga botimi i parë i këtij raporti, i vitit 2016.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike i cili është i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme