Xhema ngre shqetësimin: Çfarë do të ndodhë me familjet e zhvendosura në Rrugën “A” pas 1 gushtit?

Prishtinë | 25 Kor 2026 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Nexhmije Xhema ka reaguar lidhur me situatën e familjeve që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut në rrugën “A”, në kryeqyteT duke ngritur shqetësimin e saj për trajtimin e këtyre familjeve nga Komuna.

Sipas Xhemës, këto familje kanë jetuar në shtëpitë e tyre për 26 vjet, ndërsa që nga viti 2012 kanë dorëzuar kërkesë për legalizim. Ajo thekson se për vite me radhë Komuna u ka pranuar pagesën e tatimit në pronë dhe nuk ka ndërmarrë veprime për largimin e tyre.

Në reagimin e saj, Xhema shtron pyetjen se pse Komuna, pas më shumë se dy dekadash, po deklaron se objektet janë pa leje dhe të ndërtuara në pronë komunale, ndërkohë që, sipas saj, qytetarët janë lejuar të investojnë në ato shtëpi dhe janë përfshirë në procesin e legalizimit.

Ajo rikujton se vetë Komuna ka bërë të ditur se familjet janë zhvendosur për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut dhe se u është ofruar mbështetje prej 400 eurosh në muaj për qira, por vetëm për dy muaj.

Xhema kërkon përgjigje konkrete se çfarë do të ndodhë me këto familje pas 1 gushtit, ku do të strehohen, nëse do të kompensohen për shtëpitë e tyre dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse mbeten pa zgjidhje.

Ajo i bën thirrje kryetarit të Komunës që, përveç sqarimeve mbi situatën aktuale, të prezantojë një plan të qartë për hapat që do të ndërmerren pas përfundimit të periudhës së mbështetjes financiare, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme për strehimin e tyre.

Të ngjashme