Arifi: Kurti ose nuk e kontrollon VV-në, ose respekti për Aleancën ishte hipokrizi

Prishtinë | 25 Kor 2026 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka reaguar ndaj deklaratave të njërit prej deputetetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar partinë në pushtet për rikthim të gjuhës para zgjedhjeve të qershorit ndaj Aleancës.

Arifi tha se vetëm pak ditë pasi kryeministri Albin Kurti e cilësoi Aleancën si “parti të respektuar”, një deputet i VV-së e ka quajtur atë “të vogël e të parëndësishme”, gjë që, sipas tij, dëshmon ose mungesë kontrolli brenda partisë ose se deklaratat për respekt kanë qenë “hipokrizi për konsum publik”.

Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e deputetit ndaj kërkesave të Aleancës për mbështetjen e bujqve dhe bizneseve vendore, duke thënë se etiketimi i tyre si “të kota” tregon shkëputje nga realiteti dhe nevojat e qytetarëve.

Në reagimin e tij, Arifi iu përgjigj edhe komenteve lidhur me njohjen e gjuhës angleze, duke thënë se përfaqësues të Vetëvendosjes “e dinë mirë” se disa ish-deputetë të kësaj partie, të cilët sot mbajnë poste të larta shtetërore, e kanë mësuar anglishten në moshë madhore.

Ai shtoi se, sipas Aleancës, janë po këta individë që kanë refuzuar gazin amerikan dhe kanë dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund, Arifi theksoi se Aleanca mbetet “shtyllë e shtetit” dhe e vetmja parti opozitare me një vizion të qartë për vendin, duke bërë thirrje për unitet dhe seriozitet në vend të, siç u shpreh ai, arrogancës që fyen bujqit, bizneset dhe partnerët strategjikë.

Postimi i tij i polotë:

Para pak ditësh, Albin Kurti e quajti Aleancën “parti të respektuar”, e tash, një deputet i tij paska rikthyer gjuhën e para zgjedhjeve të qershorit në “të vegjël e të parëndësishëm”.

Ose Kryeministri nuk e kontrollon grupin e tij, ose “respekti” ishte ashtu siç edhe e thamë thjesht hipokrizi për konsum publik.

Më e rëndë se kjo, ky deputet i VV-së i quan “të kota” kërkesat tona për mbështetjen e bujqve dhe bizneseve vendore. Ky është mentaliteti i tyre, plotësisht të shkëputur nga realiteti dhe buka e qytetarit.

E sa i përket talljeve të ulëta me kufje e gjuhë angleze, ky deputet bën mirë të shikojë brenda oborrit partisë së vet. Këta e dinë fort mirë se kush nga ish-deputetët e VV-së, që sot mbajnë pozita të larta shtetërore, e kanë mësuar anglishten me kurse të nivelit bazik në moshën 30-vjeçare.

Janë pikërisht këta individë që e refuzuan gazin amerikan dhe dëmtuan marrëdhëniet tona me SHBA-të. Prandaj, ofertën tonë me këto pika në mungesë të kapacitetit e quajnë të kotë.

Aleanca mbetet shtyllë e shtetit dhe e vetmja parti opozitare me qëllim të qartë për vendin. Kosova ka nevojë për unitet e seriozitet, jo për arrogancë që fyen bujqit, bizneset dhe partnerët strategjikë!

Të ngjashme