Qytetarët kundër legalizimit të marihuanës – Rexhepi: Kjo ide është më tepër se krim

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 15:10 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mundësia që në Kosovë të bëhet legalizimi i marihuanës, për shkak të rritjes së ekonomisë dhe vendeve të punës, po konsiderohet krim nga neuropsikiatri Sami Rexhepi, po ashtu edhe disa qytetarë të Prishtinës e kundërshtojnë një veprim të tillë, raporton Ekonomia Online.

Pasi Maqedonia e Veriut ka filluar të bëjë hapa në dekriminalizimin dhe legalizimin mariuhanës, u komentua si ide edhe në Kosovë të bëhet një veprim i ngjashëm.

Rexhepi në një intervistë për Ekonomia Online tha që Kosova nuk duhet krahasuar me shtetet e tjera, dhe se është shumë i pavend diskutimi për legalizimin e kanabisit.

“Me m’u deklarua një profesionist apo një zyrtar qeveritar për legalizimin e mariuhanës në kuptimin e rritjes së vendeve të punës edhe përftimeve ekonomike është më tepër se krim. Ne po flasim për një substancë e cila shumë ndikon në dëmtimin e vet masës trunore, edhe ndryshimet të cilat krijohen janë të përhershme, në fakt ne po e hapim derën për me i helmua fëmijët tonë tash edhe zyrtarisht, për shkak se kanë me u krijua disa vende të punës. Përderisa ne në Kosovë nuk i kemi në kontroll as përdorimin e antibiotikëve, mos të flas për substanca psikoaktive, nuk i kemi në kontroll. ne po dojmë me e legalizua një substancë për të cilën dihet sa është e dëmshme në emër të përfitimeve ekonomike, ne kemi çka kultivojmë në Kosovë e jo më tutje, thjesht një qeveritar të tillë e kisha dërguar në Kolumbi apo diku tjetër edhe me punua edhe me kontribuuar në zhvillimin e atij vendi, por jo me kultivua diçka që do të jetë vrasës i rinisë, kështu që legalizimi është në kontekst të kohës, në Kosovë do të jetë krim, edhe nëse dikush kërkon dhe jep arsyetime për legalizimin, nuk mbetet tjetër vetëm me e quajt kriminel, po them në një Kosovë ku ne nuk kem kontroll as përdorimit antibiotikëve as substancave psikoaktive, as farmacive”, theksoi ai.

“Nëse i shëtitni dhjetë farmaci, gjashtë prej tyre keni me blerë substanca psikoaktive pa recetë, në nëntë prej tyre keni me blerë antibiotikë pa recetë. Ju lutem sot edhe metadoni i cili është një substancë zëvendësuese për trajtimin e varshmërisë prej heroinës, blihet nëpër barnatore në të zezë. Ne nuk kemi kontroll, edhe në këtë kohë nuk mundemi me u thirr në disa faza terminale të sëmundjeve të caktuara. As nuk mundemi me u thirr as me thanë që e ka ba Maqedonia, e pse ne jo po i marrim ShBA- të, sepse jo në të gjitha shtetet është e legalizuar marihuana”, tha Rexhepi.

Mes tjerash Rexhepi cilëson që është përrallë nëse legalizimi i mariuhanës lidhet me shkaqe shëndetësore, sepse nuk është e vërtetuar shkencërisht.

“A keni dëgjua që ndonjëherë ka pasur një debat publik, për aspirinën, se është bari efekti i cilit dihet dhe është vërtetuar shkencërisht edhe ka hulumtime, ndërsa sa i përket marihuanës sado që është medicinale eliminohet disa substanca që krijojnë  varshmëri, është më shumë përrallë, edhe efekti i marihuanës në trajtimin e disa sëmundjeve nuk është vërtetuar shkencërisht, se atëherë kishte me u shitë, dihen efektet e dihen rezultatet, është vërtetuar dhe nuk ka debat apo a jo, se dihet, rezultati dhe efekti. Këto janë disa hipoteza apo është një kampanjë e fortë se duheni me pasë shumë parasysh që ata që prodhojnë ilaçe kanë fuqi jashtëzakonisht të madhe”, u shpreh tutje ai.

Rexhepi në fund tha që Kosova nuk është e gatshme, sepse para së gjithash nuk ka qendra për trajtimin e të rinjve, dhe kjo është vrasje për të rinjtë.

“Është një problem se një numër i madh i të rinjve tanë gjatë viteve të 90-ta kanë dal jashtë, një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të moshës 18-19 vjeçare kur kanë ikur prej shërbimit ushtarak, në fakt kanë qenë të lëna në dorën e askujt, një pjesë e madhe kanë fillua atje me abuzua, një pjesë e madhe ju ka shërbyer mafias atje për me i shfrytëzua këta djem pastaj me i revoltu, edhe dihet përfundimi i tyre. Nuk tërhiqet apo nuk mund të dalësh lehtë prej një varshmërie posaçërisht po flasim për një Kosovë, përveç një njësie shumë të vogël reparti i sëmundjeve të varshmërisë në klinikën e psikiatrisë nuk kemi asnjë qendër e asnjë institucion për trajtimin e këtyre të rinjve, dhe ne po dojmë me hap derën dhe me shkua në barnatore për të blerë njësoj sikurse që shkoni me blerë patate ose domate”, u shpreh ai.

“Nëse insistohet kjo thjesht është një krim i cili është i dirigjuar prej argatëve të farmaceutikës, prodhimit të ilaçeve, dhe disa kanë me qenë viktima. Kosovë nuk jemi të gatshëm, ne deri sa nuk e krijojmë një sistem unik informativ për shëndetësinë, ne nuk mundemi me eksperimentuar me rininë tonë, një pjesë e madhe na ka ik jashtë, një pjesë e vogël na ka mbetur këtu, dhe nëse e lejojnë edhe këtë pjesë të vogël me na helmua, Kosova ka me mbet me disa pleq, edhe ndoshta prej refugjatëve të cilët kanë me ardhur në Kosovë”, përfundoi ai.

E disa nga qytetarë, të intervistuar nga Ekonomia Online, u shprehën kundër legalizimit të marihuanës si arsye kryesore që është në dëme të të rinjve.

Qytetari Besmir Zekaj, tha që është kundër legalizimit si shkak kryesor për arsyet shëndetësore.

Në anën tjetër, një qytetare tjetër Adelina Zeka, tha që nuk duhet të legalizohet.

“Nuk duhet të legalizohet, ka vende që e kanë bërë legale po ajo është një mënyrë që me ia jap në dorë të rinjve dhe për atë nuk jam për”, tha qytetarja Zeka.

Edhe Kristian Xheraj, qytetar nga Prishtina tha që nuk duhet legalizuar, sepse ia kanë nis njerëzit me eskalu si shumë.

Lum Blahu, thotë që nuk duhet legalizuar, për shkak që ia nisin edhe fëmijët ta konsumojnë se ju duket shumë normale.

Qytetari tjetër, Abaz Muharremi thotë që në asnjë mënyrë nuk duhet legalizuar, sidomos për të rinjtë tanë.

“Nuk mendoj në asnjë mënyrë, arsyeja është për shkak të rinisë tonë, që ashtu kështu kanë maru edhe atë marihuanë jepjani edhe u kry puna me neve”, tha qytetari Muharremi.

Të ngjashme