Shpend Ahmeti thotë se ndotja duhet të luftohet gjatë gjithë vitit

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ndotja e ajrit duhet të luftohet gjatë gjithë vitit.

Ai përmes një statusi ka treguar se për gjatë vitit të kaluar çfarë masa ka marrë komuna për ta ulur ndotjen.

Më poshtë shkrimi tij i plotë:

Indeksi i cilësisë së ajrit mbrëmë ka arritur vlerën prej 493 (rrezikshëm për shëndet)

Sot, indeksi i cilësisë së ajrit është 38 (tepër pastër).

Dallimi kryesor i situatës prej mbrëmë deri sot janë parametrat e shtypjes atmosferike dhe lagështisë të cilat I mbajnë grimcat e ndotjes në lartësi të ulët të cilat e bëjnë të vështirë frymëmarrjen.

Ndotja duhet të luftohet gjatë gjithë vitit dhe është politikë afatgjate, dhe nga viti I kaluar janë ndërmarr këto masa

  1. Zgjidhja afatgjate për përdorimin e qymyrit për ngrohje është ngrohja qendrore dhe kogjenerimi. Kjo mund të bëhet me dyfishimin e kapaciteteve të kogjenerimit në KEK. Kosto e instalimit të pajisjeve -24.8 milion euro dhe vendimi politik. Pastaj vjen edhe kosto e zgjerimit të rrjetit në dhjetëra miliona euro. Momentalisht Termokos është në proces të tenderimit të zgjerimit të rrjetit aktual dhe kapaciteteve aktuale. BE ka zotuar edhe 13 milion për dyfishimin e kapaciteteve. Me vullnet politik dhe financim brenda 5 – 7 viteve do të mund të kyçet krejt qyteti në rrjet.
  2. Investime në transportin publik dhe mbyllje graduale e disa rrugëve në qendër. Janë investuar mbi 11 milion euro në transport publik por kjo nuk mjafton. Tani kalojmë në fazën e investimeve në sektorin privat.
  3. Investime në eficiencë të energjisë. Tani kemi ndërruar më shumë se gjysmën e ndriçimit publik në LED dhe do të vazhdojmë edhe më tutje. Së shpejti nënshkruajmë fazën e dyte të investimeve në n;dërtesat publike për të zvogëluar konsumin e energjisë elektrike.
  4. Kemi bërë investimet nëpër shkolla dhe institucione tjera dhe më nuk ka institucione që ngrohen me qymyr.
  5. Rritja e hapësirave të gjelbërta – kemi shtuar numrin e drunjve që mbjellim për çdo vjet në 7 mijë. Po investojmë nëpër parqe për të shtuar edhe më tutje hapësirat.

Niveli qendror

Duhet të ketë edhe më tutje investime në filterët e disa prej gjeneratorëve në KEK. Sivjet për here të pare është ndaluar dhënia falas e qymyrit për punëtorët e KEK. Duhet të sigurohen investime për të ndaluar ngrohjen me qymyr në institucionet shkollore në gjithë teritorrin e Republikës.

Duhet që as mos të na shkojë mendja në importimin e veturave më të vjetra se 10 vite.

Për shtypje atmosferike e lagështi nuk kemi çka bëjmë por për tjerat janë zgjedhje e vendime që ne si qytetarë i marrim gjatë gjithë vitit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme