S’ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve me nevoja të veçanta, kërkohet hartimi e zbatimi i ligjeve

Prishtinë | 21 Maj 2020 | 11:49 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e UNICEF-it në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta sa i përket numrit të fëmijëve me nevoja të veçanta, por as sa prej tyre janë pjesë e sistemit arsimor.

Zyrtarja për Komunikim dhe Partneritet në UNICEF, Dafina Zuna-Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se kjo kategori e shoqërisë është stigmatizuar, edhe pse thotë se kohët  e fundi ka pasur përparim sa i përket integrimit të tyre në shkolla.

“Nuk kemi të dhëna të sakta për fëmijët me nevoja të veçanta, sa janë dhe në cilat komuna janë, sa janë pjesë e shkollës dhe sa nuk janë përderisa sa i përket diskriminimit dhe stigmatizimit, konsiderojmë që janë mjaft të stigmatizuar, mirëpo ka pasur përparim sa i përket këtyre fëmijëve nëpër shkolla”.

UNICEF ka vendosur 120 karroca në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si thirrje për vendimmarrësit në respektimin e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Zuna-Hoxha, ka thënë se përmes këtij instilacioni kanë dashur të dërgojnë mesazhin te 120 deputetët që të bëjnë më shumë për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Instilacioni i 120 karrocave në shesh me 120 çanta janë vendosur në shesh si thirrje për vendimmarrësit dhe të tjerët për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta. Janë vendosur me qëllim në Sheshin ‘Skënderbeu’ afër ndërtesës së Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës që t’iu bëjmë thirrje 120 deputetëve që të investojnë më shumë me politikat dhe ligjet që ekzistojnë në vend të cilat duhet të jenë në benefit të fëmijëve me nevoja të veçanta”.

Sipas saj, zyra e UNICEF-it në Kosovë deri më tani ka shpërndarë rreth 20 mijë pako higjienike për familje në nevojë.

“Këto karroca që janë në shesh janë të organizatës më të cilën ne bashkëpunojmë me HANDIKOS-in, donacion që ata e marrin çdo vit dhe do të shpërndahen për fëmijët me nevoja të veçanta, mirëpo nuk kemi të dhëna se sa fëmijë kanë nevojë për karroca të tilla”.

“Zyra e UNICEF-it në Kosovë deri më tani ka shpërndarë rreth 20 mijë pako higjienike si për familje ashtu edhe për nëna dhe bebe  të vogla. Pakot janë shpërndarë edhe për familjet strehuese. Përmes Kryqit të Kuq dhe HANDIKOS-it janë marrë të dhënat për këta fëmijë dhe janë shpërndarë këto pako. 12 mijë pako janë të siguruara nga zyra e UNICEF-it në Kosovë, ndërsa rreth 8 000 pako janë nga USAID”, shtoi ajo.

Mes tjerash, ajo tha se nga thirrjet që janë bërë për këtë kategori të fëmijëve, kanë marrë përgjigje pozitive nga kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili në bashkëpunim me disa prej bizneseve private kanë dhënë donacion 45 tableta për fëmijët me nevoja të veçanta dhe kanë shpërndarë 333 pako higjienike.

“Ne jemi duke bërë thirrje për mbështetje për këtë kategori të fëmijëve, ku qysh dje kemi pasur një përgjigje pozitive nga Kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe disa prej bizneseve privat kanë dhënë donacion 45 tableta për fëmijët me nevoja të veçanta që të kenë mundësi që përmes tabletave të jenë pjesë e sistemit të edukimit të arsimit online si dhe kanë shpërndarë 333 pako higjienike”.

“U bëjmë thirrje edhe komunave të tjera të na bashkëngjiten një iniciative të tillë. Komuna e Prishtinës ka bërë një punë të mirë duke mbledhur tabletë nga sektori privat dhe do ta arrijmë ta targetojmë secilin fëmijë që ka nevojë për teknologji asistive”.

Instilacioni ka fillua prej datës 17 dhe do të qëndrojë deri me datën 25 maj në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ky instilacion është bërë nga Zyra e UNICEF -it në Kosovë dhe nga HANDIKOS-i.

Të ngjashme