Sylejman Selimi dërgon letër nga burgu: Harrojeni që ekzistoj

Prishtinë | 02 Nën 2018 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi ka dërguar një letër nga burgu ku ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar kërkesën e tij për lirim me kusht.

Në letrën të cilën e ka publikuar “Gazeta Express”, Selimi bënë me dije se ka marr vendim që tash e tutje të mos ketë përfaqësim ligjor pasi siç thotë ai proces kundër tij është i montuar nga politikanët vendorë dhe ndërkombëtar.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën e Selimit.

“I nderuar avokat Tomë Gashi…

Dua të ju falënderoj ju avokatin Smith dhe avokatin Dobruna

Për punën e palodhshme që keni bërë që pesë vite duke dhënë kontributin tuaj në procesin gjyqësor si në rastin Drenica 1 dhe 2, edhe pse ishte vetëm Drenica por që u nda padrejtësisht.

Ju dhe ekipa mbrojtëse keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë seancave për të dëshmuar pafajësinë time dhe grupit Drenica1 dhe 2, dhe i ndihmuat trupit gjyqësor që të dalë e vërteta në rastin tim. Por, fatkeqësisht i tërë procesi nga fillimi kishte qenë i padrejtë, i njëanshëm dhe mbi të gjitha politik. Këtë e argumentoi edhe vetë kryetari i trupit gjykues të EULEX-it z. Malcolm Simmons.

Fatkeqësisht i tërë procesi kundër meje po del të jetë proces i montuar nga politikanët vendorë e ndërkombëtarë. Tash e një kohë të gjatë jam duke e pyetur vetën pse më kanë penguar në rrugëtimin tim ndaj proceseve shtetëndërtuese para gjatë dhe pas lufte. Kam qenë bartës i institucioneve dhe bashkëpunues si me përgjegjës të sigurisë ndërkombëtare por edhe me përgjegjësit e sigurisë vendore. E gjithë veprimtaria ime ka qenë në shërbim të vendit tim. Që të kemi një vend të lirë, demokratikë që i shërben çdo qytetari, pa dallim, një vend ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim, pra një vend ku sundon ligji, të cilin e kam respektuar dhe do ta respektojë gjithmonë. Por jam i zhgënjyer në drejtësinë e vendit tim ku tërë jetën time i kam shërbyer me dinjitet e deri në vetëmohim para dhe gjatë luftës për popullin tonë nën organizimin e UÇK-së si komandant i saj.

I nderuar avokat Tomë Gashi, unë që nga sot e kam marrë një vendim që të mos kem edhe më tutje përfaqësues ligjorë (avokat), nga sot nuk dua të kem avokat mbrojtës më vjen keq që deri më tani keni qenë jashtëzakonisht aktiv, në mbrojtjen e pafajësisë time dhe duke e dëshmuar me fakte keni bërë të pamundurën për ta ndihmuar edhe drejtësinë (njerëzit e saj) për ta vënë drejtësinë.

Kjo nuk po ndodh derisa kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vendit i cili edhe është organi më i lartë juridik dhe nuk zbatohet atëherë çfarë të themi çfarë të bëjmë kënd ta pyesim, ku të kërkojmë drejtësi? Ku? Politikës.”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme