Tahiri: Kosova i dha një mësim të mirë Serbisë me vendimin që në krye të negociatave të jetë një grua

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 11:17 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore (QTSGj) ka mbajtur konferencën me temën “Duke shtruar rrugën për ndërtimin e paqes dhe Integrimin Evropian” – Kontributi i shoqërisë civile në paqen dhe harmonia ndëretnike, me fokus në dialogun midis komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë.

Ish-negociatorja e Kosovës në Bruksel, Edita Tahiri, tha se QTSGj ka qenë njëra ndër organizatat e para pas luftës e cila është angazhuar per t’iu krijuar grave më shumë hapësirë për barazi gjinore, raporton Ekonomia Online.

“QTSGj është njëra prej organizatave lidere që pati vizion dhe përkushtim që këto 20 vite të kontribuojë për transferimin e shoqërisë politike e demokratike në Kosovë dhe vuri në fokus fuqizimin e grave, sepse pa to nuk mundet të mendohet për një shoqëri të mirëfilltë dhe të ndërtohet një paqe e qëndrueshme dhe besoj që për një paqe të qëndrueshme roli i grave duhet të jetë qendror dhe gratë duhet të jenë në nivele udhëheqëse në të gjitha proceset tjera”, tha Tahiri.

Tahiri tha se dialogu në Bruksel ka qenë shumë i përfolur dhe ka pasur suksese të shumta ku Kosova ka arritur ta shtrijë sovranitetin në pjesën veriore me institucionet e saj shtetërore në veri të Kosovës, të cilat nuk kanë qenë përpara dialogut, raporton EO.

“Në dialogun në Bruksel 7 vite që kam qenë unë në udhëheqje kemi arritur me i shu strukturat paralele të Serbisë në fusha relevante, si policia, gjykata, dogana, djegien e pikave kufitare etj.”, shtoi Tahiri.

Tahiri shtoi se në dialogun që është bërë në Bruksel, gratë nuk kanë qenë të përfshira, si nga ana e Serbisë ashtu e Kosovës, por gjithsesi Kosova i dha një mësim të mirë shtetit fqinj me vendimin që të jetë në krye të negociatave një grua.

Driton Lajçi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, tha se dialogu me Serbinë është shumë i rëndësishëm dhe se duhet punuar edhe më shumë në heqjen e paragjykimeve dhe të ketë bashkëpunim në mes institucioneve.

“Synimi i konferencës është harmonizimi i raporteve ndëretnike dhe dialogu në mes Serbisë dhe Kosovës është i rëndësishëm raporti në mes dy vendeve ashtu edhe siç thuhet në marrëveshje obligative, por më e rëndësishme është raporti brenda nesh, komunikimi dhe bisedimi ynë me serbë është me rëndësi të veçantë dhe i inkurajojmë të gjithë të bashkëpunojnë me universitetet, organizatat e ndryshme, mësimet e gjuhës së njëri-tjetrit dhe heqja e paragjykimeve ku paragjykimet janë kundërshtarët tanë më të mëdhenj”, tha Lajçi.

Drejtoresha e Organizatës Feministe Paqësore, Carmen Meyer, tha se nuk ka mundësi të ketë paqe pa pasur barazi gjinore dhe pjesëmarrje të barabartë në vendimmarrje të dy gjinive, raporton EO.

“Është bërë pak progres viteve të fundit, gratë po përfshihen shumë më shumë në procese të ndryshme politike dhe shoqërore, por kjo nuk mjafton dhe shpresoj që kjo konferencë do të ngrisë vetëdijen që nuk është e mundur paqja pa barazi, pa të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit”, tha Meyer.

Të ngjashme