Të harruar nga institucionet, fëmijët me nevoja të veçanta s’ndjekën mësimin online gjatë pandemisë

Prishtinë | 17 Tet 2020 | 08:27 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pandemia COVID-19 ka ardhur si stuhi e fortë që ka prekur e dëmtuar çdo sektor e kategori në botë, rajon e Kosovë. Kësaj të keqe nuk i kanë shpëtuar as personat me aftësi të veçanta përkatësisht fëmijët të cilët sipas zyrtares për Informim të HENDIKOS, Kaltrina Misinit janë sfiduar mjaftë përgjatë kësaj periudhe pandemike.

Në intervistën dhënë për Ekonomia Online, Misini ka pohuar se fëmijët me aftësi të veçanta kanë hasur problem për ndjekjen e mësimit online dhe adaptimin me platformat teknologjike shpesh duke mos marrë fare pjesë në këtë proces.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara fatkeqësisht janë në vazhdimësi një prej grupeve më të margjinalizuara në shoqëri të cilët hasin në shumë vështirësi qoftë në gjithëpërfshirje qoftë në qasje e cila ofrohet në komunitet. Kur jemi tek pandemia duke qenë se pandemia ka qenë një periudhë mjaftë e vështirë për të gjithë njerëzit në veçanti ka qenë për personat me aftësi të kufizuara e sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara”, thotë ajo.

Sfidë për këta fëmijë është mungesa e pajisjeve teknologjike për ta ndjekur mësimin online.

“Sfidat e tyre kanë qenë mjaftë të mëdha dhe vështirësitë e tyre kanë qenë të mëdha gjatë kësaj periudhe duke qenë se ata gjatë situatës normale kanë marrë edhe shërbime direkte prej HENDIKOS-it meqenëse ne si organizatë jemi ndër ofruesit kryesor të shërbimeve të rehabilitimit primar për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në anën tjetër një sfidë tjetër për ta ka qenë edhe ndjekja e mësimit në distancë ose online duke qenë se një pjesë e madhe prej tyre kanë pasur edhe mungesë të pajisjeve teknologjike ndërkohë që kanë pasur edhe papërshtatshmëri ose nuk kanë mundur të adaptohen në platformat të cilat janë përdor për mësimin online nga institucionet si dhe me këtë rast faktikisht ata nuk e kanë ndjerë plotësisht vetën të barabartë me fëmijët e tjerë pasi që shpesh herë edhe nuk janë përfshirë fare në ndjekjen e mësimit online”, ka thënë ajo.

Përkundër gjithë problemeve që janë paraqitur për këtë kategori, Misini ka thënë se ka munguar përkrahja institucionale.

“Fatkeqësisht nuk ka pasur interesim institucional për këtë kategori. Madje mund të themi që familjet e personave me aftësi të kufizuara kanë qenë ndër më të prekurit në aspektin ekonomik pasi që nuk kanë pasur ndonjë mbështetje ekstra prej institucioneve dhe natyrisht që kjo ka ndikuar direkt edhe tek fëmijët” ka theksuar Misini.

Tutje ajo ka treguar për Ekonomia Online se vetëm falë ndihmës së donatorëve, HENDIKOS ka arritur t’i ndihmojë ekonomikisht familjet e fëmijëve me aftësi të veçanta.

“Gjatë kësaj periudhe me mbështetjen e donatorëve tonë të përhershëm kemi arritur që ti mbështesim në aspektin ekonomik ku në tri apo katër faza kemi bërë shpërndarje të pakove ushqimore dhe higjienike. Ndërsa kur jemi te fëmijët për tua lehtësuar ndoshta ndjekjen e mësimit në distancë kemi arritur që të bëjmë shpërndarjen e disa pajisjeve teknologjike në këtë rast tabletë me mbështetje të Save the Children. Po ashtu kemi bërë edhe shpërndarjen e maskave ku mbi 400 maska janë shpërndarë në katër komuna të Kosovës po ashtu kjo me mbështetje të Save the Children.

E kur flasim për ndikimet negative që po lë pandemia tek njerëzit s’ka si mos të përmendet ndikimi psikik që kanë pësuar fëmijët me aftësi të veçanta, ku si zgjidhje Misini tregon se nga HENDIKOS kanë ofruar seanca virtuale.

“Natyrisht që në aspektin psikologjik kane ndikuar gjithë këta faktorë të cilët i përmenda më herët në këtë rast mësimi mosndjekja e mirëfilltë e mësimit në distancë ka ndikuar mjaftë shumë tek fëmijët në aspektin psikologjik pasi që janë ndjerë të pabarabartë me fëmijët e tjerë. E dimë që edhe në gjendjen normale fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të cenuar në sistemin arsimor pasi që nuk u ofrohet qasja elementare siç është ajo infrastrukturore dmth shumica e shkollave nuk kanë qasje infrastrukturore. Mirëpo ne si HENDIKOS jemi munduar që në vazhdimësi t’i stimulojmë të qëndrojnë aktiv qoftë përmes disa videove udhëzuese të cilat i kemi plasuar për ta në baza ditore thuajse përmes informacioneve interesimit individual me ta. Ndërsa që nga marsi në kuadër të projektit “Avancimi i kapaciteteve për të drejtat e fëmijëve” kemi arritur që të mbajmë seanca virtuale ose online ku përfitues kanë qenë 15 fëmijë të regjionit të Prishtinës”, është shprehur ajo.

Po ashtu Misini ka bërë me dije se HENDIKOS nuk ka buxhet të mjaftueshëm që të mbulojë projektet që organizohen në të mirë të kësaj kategorie.

“Fatkeqësisht HENDIKOS nuk ka qëndrueshmëri financiare ose që financohet direkt nga shteti por që kjo gjendje financiare faktikisht varet direkt prej donatorëve apo mbështetësve tanë të jashtëm. Kështu që maskat dhe tabletë të cilët ofrohen kryesisht janë në kuadër të aktiviteteve të cilat i zhvillojmë në kuadër të projekteve të cilat edhe i implementojmë”, ka shtuar ajo.

Për fund Minisi tregoi se nga HENDIKOS kanë qenë të prekur me COVID-19 vetëm 5 persona.

“Në total për aq sa kemi informacione deri më tani kanë qenë të prekur 4 apo 5 persona por që nuk janë identifikuar si fëmijë meqenëse e dimë që edhe nga OBSH-ja tregohet se fëmijët janë më pak të rrezikuar nga COVID-19 ose mund të jenë edhe asimptomatikë kështu që raste për fëmijë nuk kemi të identifikuar”, ka përfunduar ajo.

Të ngjashme