Vrasja e 18 vjeçares në Ferizaj, reagon presidentja Vjosa Osmani

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka reaguar pas rastit të 18 vjeçares së vrarë në Ferizaj, ku dyshohet që u vra nga dy të rinjë.

Osmani u shpreh se për këtë rast duhet të ketë vetëm drejtësi dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për gjetjen e vrasësit të viktimës.

Postimi i plotë në Facebook:

Për vajzën 18- vjeçare që e vranë në Ferizaj duhet të ketë drejtësi. Vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në Kosovë.

Ne nuk mund të heshtim apo të vazhdojmë të lejojmë trajtimin e këtyre rasteve si çështje familjare. Jemi dëshmitarë të vrasjeve si rezultat i shmangies nga ligji të dhunuesve, ndaj kjo situatë duhet të marrë fund. Si Presidente e vendit i bëjë thirrje secilit qytetar që të bashkëpunojë me organet e rendit dhe ligjit në gjetjen e vrasësit të viktimës nga Ferizaji. U bëjë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të punojnë fort dhe pandërprerë derisa kryesit e veprave të tilla të gjenden prapa grilave.

Dhuna ndaj vajzave e grave kërcënon paqen për të gjithë dhe mirëqenien e përgjithshme, por shoqëria jonë duhet të jetë e palëkundur dhe e vendosur në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit e dhunës ndaj vajzave e grave.

Familjarëve, miqve dhe gjithë shoqërisë së vajzës së ndjerë u shprehu ngushëllime të sinqerta! Shpirti i saj do të pushojë në paqe atëherë kur të ketë drejtësi. Drejtësinë ua kemi borxh secilës vajze e gruaje që përjetoi dhunën nga ata që po marrin jetë e po i ikin përgjegjësisë.

M.O, 18-vjeçare, është privuar nga jeta ditën e djeshme në Ferizaj. Për këtë rast tragjik ka dalë në konferencë për media kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tha se shumë shpejt do të vërtetohet edhe mënyra si ka qenë i involvuar personi i dytë dhe i parë në vrasjen e vajzës.

Të ngjashme