VV: Prokurori në Rastin Dehari i dyshuar për vepër penale

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 11:42 | Nga

Prokurori i rastit të Astrit Deharit është një njeri i dyshuar për vepër penale të konfliktit të interesit sipas nenit 424 të Kodit Penal.

Kështu ka thënë Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosje, gjatë një konference për media, së bashku me avokatin e familjes Dehari, Tomë Gashi, në lidhje me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

“Metush Biraj, si ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, kishte rekomanduar që për ish – gjyqtarin Elez Hoxha i dyshuar për korrupsion, të ulej dënimi”, tha Haxhiu, për gazetarët.

Po ashtu, sipas saj, emri i Metush Birajt është nëpër dosje të komisionit Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe atij edhe i është shqiptuar masa e parafundit disiplinore. Pas kësaj mase është vetëm suspendimi.

“Ky shërbëtor i zellshëm i Sylë Hoxhës dhe pushtetit, i dyshuar për vepër penale nuk mund ta sjellë drejtësinë për Astritin”, u shpreh Haxhiu.

Gashi: Astriti ka vdekur nga asfiksia e dhunshme

toma-albulena

Gjatë një konference për media avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, në lidhje me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka deklaruar që shkaktari i vdekjes së tij ishte asfiksia e dhunshme.

“Astriti ka vdekur nga asfiksia e dhunshme. Askush nuk mund ta bej ketë vullnetarisht me mjetin që është përdorë. Është e pamundshme që Astriti t’ia ketë shkaktuar ato lëndime vetes” ka thënë Tome Gashi.

Sa i përket raportit të autopsisë, Gashi ka deklaruar që dy ekspertët e pavarur të kontraktuar nga Familja Dehari, janë të gatshëm të dalin me publikimin e tij, mirëpo ju mungon dokumentacioni mbështetës, pa të cilin nuk mund të realizohet ky raport.

“Dy ekspertë të pavarur të familjes Dehari, kanë qenë gjatë gjithë kohës kur është kryer obduksioni i Astrit Deharit, mirëpo Prokuroria dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk i ka pajisur me dokumentacionin shtesë. Ata kanë dhënë një arsyetim prej tre rreshtat “Për shkaqe objektive nuk mund t’ju japim materialet”. Ekspertët e pavarur janë të gatshëm mirëpo pa këto prova nuk mund të japin raportin” përfundoi Tomë Gashi.

Sipas Gashit provat mbështetëse të lartpërmendura janë nën menaxhimin e prokurorisë dhe janë në duar të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Të ngjashme