Nacionalisti serb, Millorad Dodik fiton ulëse në presidencën e Bosnjës

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Nacionalisti, Millorad Dodik është shpallur fitues për ulësen e serbëve në presidencën tripalëshe të Bosnjës, derisa priten rezultatet përfundimtare më vonë gjatë ditës së hënë.

Ngritja e liderit të linjës së ashpër në zyrën kryesore, pozitë të cilën do ta ndajë me liderin mysliman dhe atë kroat, mund të shtrijë nacionalizmin në Bosnjën e cila është përballur me luftë dy dekada më parë.

Dodik, lideri prej kohësh i serbëve të Bosnjës në Republikën Serbe, ka kërcënuar më herët se do të organizojë votime për të ndarë këtë rajon, çka do të mund të komplikonte marrëveshjen që ka siguruar paqen në këtë rajon nga konflikti i viteve 1992-95.

Tani, ai do të bashkudhëheq shtetin, të cilit i është referuar si “koncept i dështuar”.

“Fitorja ime është e pastër”, ka thënë Dodik nga Banja Lluka, i cili njëherësh është kryeqyteti i subjektit me shumicë serbe.

Ai ka thënë se ka fituar 56 përqind të votave, duke mundur rivalin Mlladen Ivaniq, pas publikimit të rezultateve, kur janë numëruar 85 për qind të votave.

Komisioni Zgjedhor ka konfirmuar udhëheqjen e Dodikut, ndonëse rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike më vonë gjatë ditës.

Ivaniq në anën tjetër ka thënë se duhet pritur ende deri në shpallje të fitores.

“Ne do të presim raportin e vëzhguesve tanë për të parë nëse gjithçka ka shkuar mirë”, ka thënë ai në një adresim televiziv.

Dalja në këto zgjedhje ka qenë 53.3 përqind, në shtetin me ku 3.3 milionë persona kanë pasur të drejtë vote.

Sefik Gjaferoviq nga Partia për Aksion Demokratik, ka udhëhqur në garën për ulesën boshnjake në presidencë, duke fituar 38 për qind të votave.

Ndërkohë, social-demokrati Zheljko Komsiq, që ka shërbyer dy mandate në presidencë, ka udhëhequr me 49.5 për qind të votave, duke mundur kandidatin tjetër, Dragan Çoviq.

Çoviq, që ka fituar 38 për qind të votave, ka bërë thirrje për të ndarë kroatët si etni të veçantë në këtë shtet.

Ai ka pranuar humbjen mirëpo ka thënë se “nuk ka parë kurrë më parë” një krizë të tillë në këtë shtet.

Sistemi kompleks i Bosnjës, që për disa konsiderohet jofunksional, është rezultat i luftës në vitet e 90-ta, çka ka rezultuar me tensionim të marrëdhënieve në mes të serbëve, kroatëve dhe myslimanëve.

Në këtë konflikt kanë vdekur 100,000 persona dhe miliona tjerë janë zhvendosur edhe si pasojë e ekonomisë dhe infrastrukturës së dobët.

Marrëveshja për paqe, që ka ndalur luftimet, ka ndarë shtetin në dy pjesë, njërën të dominuar nga serbët dhe tjetrën në shtëpi të myslimanëve dhe minoritetit kroat.

Andaj Bosnja është e ndarë në tri etni, Republikën Serbe e dominuar nga serbët dhe Federata Myslimano-Kroate e boshnjakëve dhe kroatëve.

Të dyja subjektet janë të lidhura nga institucione të nivelit të njëjtë në presidencën tripalëshe.

Ata funksionojnë së bashku nga një administratë relativisht e dobët e udhëhequr nga presidenca tripalëshe, e cila ka sistem rotativ në mes të anëtarëve që kanë fituar pozita, çdo tetë muaj.

Përveç zgjedhjes së liderëve në presidencë, votuesit kanë zgjedhur më 7 tetor edhe ligjvënësit parlamentarë dhe ata në kantone.

Ndasi dhe udhëheqje

Para mbajtjes së zgjedhjeve, shumë politikanë kanë bazuar fushatën e tyre në retorikë nacionaliste.

Gjatë fushatës, Dodik ka përsëritur pretendimet se Bosnja “nuk është shtet” dhe se kryeqyteti i këtij vendi Sarajeva, është “territor i huaj’.

Pasi ka votuar në ditën e diel, lideri serb ka thënë se do të punojë me insititucionet boshnjake mirëpo “në interes dhe përfitim të Republikës Serbe”.

Dodik, i njohur si pro-rus, është pjesë e listës së zezë të Shteteve të Bashkuara, për kërcënim të integritetit të Bosnjës.

Si do të shfrytëzojë pozitën e tij, mbetet të shihet.

Analistja politike, Tanja Topiq ka thënë se skenari më ekstrem do të ishte ashtu që ai të punojë drejt “ndarjes së Bosnjës’.

Zhgënjmi

Në mesin e popullatës ekziston zhgënjim ndaj klasës politike, të cilët besohet se kanë fituar pozitat e tyre duke u bazuar në nacionalizëm, në vend të uljes së problemeve ekonomike.

Me një mesatare të pagave mujore rreth 430 euro, një e pesta e popullatës në këtë shtet është e papunë.

“Asnjë parti nuk përmbush pritshmëritë e mia si qytetare”, ka thënë Danica Odoviq, 47 vjeçare e cila ka votuar në Banja Llukë.

Ajo ka thënë se do të votojë vetëm për “ndryshime dhe jo sepse besoj se të tjerët janë më të mirë”.

Ekspertët në anën tjetër besojnë se struktura e tillë politike në Bosnjë pengon reformat dhe krijon hapësirë për më shumë ryshfet.

Sipas, Transparency International, korrupsioni është problem serioz “në të gjitha nivelet e Qeverisë”.

“Shumica e të rinjve e shohin të ardhmen e tyre jashtë Bosnjës”, ka thënë analisti Zoran Kresiq.

Dëgjimi i “tregimeve të njëjta, mesazheve të luftës dhe pamundësisë për të jetuar së bashku, është mjaftueshëm demotivues që njerëzit të mos qëndrojnë”, ka shtuar ai.

Të ngjashme