Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, ka deklaruar ditën e sotme se janë të hapur për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, me kushtin që ata të reflektojnë mbi disa sjellje të tyre.
Por nga Lëvizja Vetëvendosje po e mohojnë kategorikisht një koalicion të tillë.
Kandidatja për deputete nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk ka aspak gjasa të ndodhë një koalicon i tillë dhe madje as nuk janë duke e diskutuar një opsion të tillë.
“Nuk ka aspak gjasa të bëhet një koalicion i tillë. Qëndrimet tona për PDK-në janë shumë të qarta, dhe as nuk jemi duke e shyrtu si opsion bashkëpunimin me PDK-në” tha shkurt Nagavci për Gazeta Blic.
Totaj gjithashtu ka kritikuar edhe reagimet e VV-së karshi vendimit të fundit të PZAP-së për moscertifikimin e kandidatëve për deputet.
“Aty ku ju leverdis i respektojnë ligjet (LVV) dhe institucionet janë në rregull, aty ku nuk ju leverdis atëherë këmbngulin në një vendim që do iu leverdiste atyre, prandaj është një qasje që po e dëmton skenën politike kosovare,” u shpreh ai.
Vendimi i fundit i PZAP-së, nuk lejon që kandidatët me probleme me ligjin të kandidojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.Ky vendim ka prekur edhe kreun e LVV-së, Albin Kurti, të cilit i pamundësohet kandidimi në këto zgjedhje .Pas këtij vendimi LVV-ja, AAK-ja dhe Nisma kanë dërguar ankesë në Gjykatën Supreme.