Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në emisionin “RTK Prime” nuk e ka saktësuar nëse versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova” do të jetë vendim përfundimtar i Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se vendimi do të bëhet i ditur për publikun në dy ditët e ardhshme.
“Përfundimisht Qeveria do të sigurojë tekstet për fëmijët duke marrë përsipër të gjitha obligimet financiare sipas ligjit. Jemi duke e shqyrtuar, jemi me gjithçka gati. Vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite apo të enjten në mëngjes”, ka deklaruar Nagavci.
“Obligimi ligjor i Ministrisë së Arsimit është të siguroj librat nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë me kërkesën tonë në fund të vitit të kaluar shkollor, shkollat i kanë mbledhur ato në mënyrë që ato të përcillen te gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Nagavci.
Për prindërit të cilët nuk dinë të qasen në platformën shtetërore “eKosova” ajo ka thënë se do ta kenë të mundshme qasjen në një linjë telefonike prej së cilës do të mësojnë për mënyrat e përdorimit.
“Në tri vite nga 2016-ta janë shpenzuar nga buxheti i shtetit më shumë se 20 milionë euro. Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar 54 milionë e 555 mijë e 780 euro. Pra s’po flasim për shuma të vogla, por dhjetëra mijëra euro që duhet të shfrytëzohen për tekste të mira për nxënës dhe pa asnjë abuzim”, ka thënë Arbërie Nagavci.
Nagavci: Platformën për rimbursim synojmë ta lansojmë të enjten
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se opsioni i blerjes së librave nga ana e prindërve e më pas rimbursimi i mjeteve për ta përmes platformës digjitale “eKosova” është formë e lehtë dhe që nuk sjellë telashe.
Ajo ka thënë se edhe me këtë variant, ministria i kryen detyrat me të cilat është e ngarkuar. Mbi këtë bazë, e para e arsimit në vend, ka thënë se nuk e di pse është bërë temë diskutimi kjo metodë.
“Kemi thënë se po e shqyrtojmë mundësinë që të gjithë prindërit të aplikojnë në eKosova, në një mënyrë shumë të thjeshtë do të listohen nga regjistri civil emri i prindërve, do të selektohet shkolla dhe do të shënohet numri i xhirollogarisë”, ka thënë Nagavci në “RTK Prime”.
Ajo ka theksuar se lansimi i platformës digjitale për rimbursimin e mjeteve për prindërit synohet të bëhet të enjten.