Për shumë të apasionuar pas studimit dhe vështrimit të hapësirës, NASA ndan me publikun vetëm majën e ajsbergut të materialeve që ka dhe njoftimi i fundit i agjencisë ka ndezur rrjetet sociale.
NASA njoftoi shkurtimisht se të hënën do të dalë në një telekonferencë për të bërë publike të dhëna të fundit të grumbulluara nga vëzhgimi i teleskopit Hubble në orbitën e Jupiterit.
Bëhet fjalë për imazhe të kapura nga Evropa, një prej 67 satelitëve të njohur deri më tani të gjigantit të sistemit tonë diellor.
“Astronomët do të paraqesin rezultatet surprizë dhe unike të vëzhgimeve të Evropës. Janë rezultate dhe prova mbresëlënëse që faktojnë ekzistencën e një oqeani me ujë nën sipërfaqen e Evropës”, thuhet në njoftimin e NASA-s.
Ka mjaftuar kjo deklaratë e agjencisë amerikane për të ndezur rrjetet sociale, ku qindra përdorues e interpretojnë me kërshëri fjalët “surprizë” dhe “kërshëri” duke shkuar deri aty sa të deklarojnë se NASA ka gjetur jetë aliene në satelitin e Jupiterit.
E gjitha kjo është zbehur, por jo zhdukur krejtësisht, nga një postim i agjencisë në Twitter ku paralajmëron që të mos pritet lajmi për gjetjen e alienëve.