NASA zbulim të ri mbi Plutonin

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 16:48 | Nga

Në sipërfaqen e Plutonit, shkencëtarët e NASA-s kanë diktuar duna metani të ngrirë, një zhvillim ky që tregon se kjo botë kaq e largët është më dinamike nga sa mendohej më parë.

Atmosfera e Plutonit konsiderohej se tepër e hollë për të krijuar tipare nga ato që mund të gjenden nëpër shkretëtirat e planetit tonë.

Por analizimi i imazheve të dërguara nga misioni i NASA-s, New Horizons, që fluturoi pranë Plutonit korrikun e 2015-tës, dëshmon tjetër gjë. Pas udhëtimit epik gati një dekadë nëpër sistemin diellor, new horizons, I grumbulloi të dhënat ndërsa kalonte me një shpejtësi prej mbi 58,000 km/h.

Në studimin e tyre shkencëtarët shpjegojnë se si kanë vëzhguar pamjet e rrafshinës së njohur si Sputnik Planitia, disa pjesë të të cilës janë mbuluar me ato që duken si duna të ndodhura shumë pranë një vargmali ujërash të ngrirë 5 km të lartë.

Kërkuesit dolën në përfundimin se dunat janë 0.4-1 km larg dhe përbëhen nga grimca metani të ngrirë me një diametër rreth 200 apo 300 mikrometra, që do të thotë gati sa një kokërr rërë. Që dunat të arrijnë të formohen nevojitet një atmosfere e dendur mjaftueshëm aq sa për ta bërë të mundur transportin e grimcave nga era, një furnizim me grimca të thata si dhe mekanizmin që i ngre ato nga toka.

Në pamje të parë, dukej se asnjë prej këtyre kushteve nuk plotësohej në sipërfaqen e Plutonit, por studimi tregon të kundërtën duke krijuar kështu një perceptim të ri mbi planetin e akullt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme