Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, ka njoftuar se gjatë procesit zgjedhor që është duke u zhvilluar sot, deri më tani janë raportuar disa raste të ndryshme por, pas verifikimit të të gjitha këtyre informatave nga prokurorët në teren, janë vërtetuar 16 raste me 20 persona të cilët lidhen me procesin zgjedhor.
Në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”.
Në rajonin e Pejës kemi një rast me dy persona të ndaluar për veprën penale “Keqpërdorim i të drejtës së votimit”.
Në rajonin e Gjakovës i kemi gjashtë raste kundër gjashtë personave, pesë persona janë të ndaluar dhe një person në kërkim, për veprat penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214, “Cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215, dhe për veprën “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Në rajonin e Gjilanit kemi një rast me një person të ndaluar për veprën penale “Parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar”.
Në rajonin e Mitrovicës i kemi dy raste me pesë persona të ndaluar, prej të cilëve dy për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve”, si dhe tre për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit”.
Në rajonin e Ferizajt është një rast me një person të ndaluar për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit” .