Ndalohen për 48 orë dy shqiptarët e dyshuar për spiunazh – Arrestimi pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me AKI-në

Prishtinë | 05 Qer 2024 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar se ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”.

PSRK njofton, nëpërmes një komunikate shtypi, se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Dy të arrestuarit sot në Ferizaj, nën dyshimin për spiunazh me BIA-n serbe janë B. Sh. dhe M. Q. Ata janë arrestuar sot në një aksion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës, pas informacioneve dhe bashkëpunimit me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), bëjnë të ditur burime të Ekonomia Online.

Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe. Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pas luftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.

Të ngjashme