Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Drenasit, përkatësisht drejtoresha Aurora Berisha ka intensifikuar marrjen e masave ndëshkimore për pronarët dhe punëkryesit, të cilët zhvillojnë ndërtime pa leje ndërtimore në zonën e tokës bujqësore nën masën e komasacionit, që përfshinë zonën në të dy anët e “Autostradës M9” nga Parku i Biznesit në Korroticë të Epërme e deri në Llapushnik.
Drejtoria e Inspeksionit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Njësiti në Drenas është në mbikëqyrje të vazhdueshme të ndërtimeve të paligjshme në gjithë territorin e Komunës së Drenasit, në veçanti në zonat nën masën e komasacionit, ku nuk është i lejuar ndërtimi me ligj.
Kjo komunë u bënë thirrje qytetarëve që para fillimit të çdo ndërtimi të jenë të pajisur me leje ndërtimi, në të kundërtën, ndërtimi do të ndalohet nga inspektorët dhe do të merren masa ndëshkuese, sipas Ligjit për Ndërtim.
Gjithashtu, objekti pa leje ndërtimore, nuk mund të regjistrohet në regjistrin kadastral dhe si pasojë e kësaj, shfrytëzuesi i objektit nuk mund të bëhet pronar legjitim.