Njësia e Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Veriu” në Lluzhan, bazuar në informacionet e siguruara mbi dyshimet për aktivitete kriminale të “kontrabandimit me mallra “ dhe “kalime të paautorizuar të vijës kufitare” nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës, ka aktivizuar planin operativ “Befasia”, i cili është realizuar në zonën e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë realizimit të planit operativ me datën 24.06.2021, në orën 19:40, në fshatin Ballaban të komunës së Zveqanit, është ndaluar automjeti ‘kombi mercedes’ (ngjyrë e bardhë) me targa të Serbisë të cilin e ngiste i dyshuari (D. B.), mbi dyshimin e bazuar se kishte mallra të kontrabanduara nga territori i Serbisë.
Zyrtarët policorë kanë gjetur: Rreth 770 pako (boksa) cigare me banderola ‘SRB’ të llojeve të ndryshme 770 X 10 =7700 paketime, mbi 1000 palë xhinse dhe 10 palë patike.
Bazuar në informacionet e para, sipas zyrtarëve doganorë vlera minimale e mallit kalon afërsisht vlerën 13000 euro, përderisa sipas procedurave pritet të bëhet numërimi dhe verifikimi i detajuar, përfshirë edhe caktimin e vlerës së taksës dhe vlerës së mallit.
Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore Mitrovicë janë iniciuar rastet ”Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo vijës kufitare” dhe “Kontrabandim me mallra”, përderisa personi i dyshuar pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Lënda procedohet në procedurë të rregullt përderisa automjeti dhe malli i kontrabanduar i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.