Seanca e Kuvendit të Kosovëspak minuta pasi ia nisi, është ndërprerë përsëri sot.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë të ditur se kjo seancë që u ndërpre edhe dje, do të vazhdojë të mërkurën në orën 10:00.
“Jemi në pikën e tretë të rendit te ditës miratimi i procesverbalit nga seancat e mëparshme, në sallë janë të pranishëm 43 deputetë, nuk mund ta miratojmë procesverbalin, në rrethana të tilla në mungesë kuorumi nuk mund të vazhdojmë as me vazhdimin e seancës. Vazhdimi i seancës do të jetë mërkurën në ora 10:00”, tha Veseli.
Para se të fillonte seanca e Kuvendit të Kosovës, Policia ka arrestuar tre deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, Donika Kadaj-Bujupin dhe Albulena Haxhiun.
Arrestimi i tyre u shoqërua me përleshjen e deputetëve të kësaj partie me policinë, derisa kjo e fundit hodhi edhe sprej lotsjellës.
Seanca e djeshme është ndërprerë pasi sallën e braktisi Grupi Parlamentar i PDK-së bashkë me partnerët e koalicionit, atë të AAK-së dhe Nismas.
Ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi i cili bëri të ditur se do ta bojkotojnë seancën parlamentare në shenjë pakënaqësie ndaj skandaleve të fundit të misionit të EULEX-it.