Është ndarë sot nga jeta në moshën 67-vjeçare, albanologu, studiuesi dhe përkthyesi i njohur Robert Elsie. Elsie është autor i shumë librave dhe artikujve që kanë pasur në fokus çështje që lidhen me gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972.
Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.
Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të “takimeve shkencore” midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. Këto udhëtime në fund të viteve 70-të dhe në fillim të viteve 80-të i zgjuan një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur.
Përmbledhje e veprave të tij shkencore
Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature(Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime.
Kjo vepër e fundit doli në shqip me titullin Histori e letërsisë shqiptare, Pejë 1997, dhe polonisht me titullin Zarys historii literatury albanskiej (Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare), Torunj 2004. Ai ka botuar gjithashtu përkthime letrare në anglisht dhe gjermanisht, siç janë për shembull në vëllimin e UNESCO-s An Elusive Eagle Soars: Anthology of Modern Albanian Poetry (Një shqiponje e arratisur fluturon: antologji e poezisë bashkëkohore shqiptare), Londër 1993; Albanian Folktales and Legends (Përralla dhe legjenda shqiptare), Tiranë 1994; veprat poetike të poetit Migjeni (1911-1938) përkthyer në anglisht në vëllimin Free Verse (Vargjet e lira), Tiranë 1991, dhe në gjermanisht në vëllimin Freie Verse (Vargjet e lira), Idshtajn (Idstein) 1987; një antologji gjermanisht e poezisë shqiptare në Einem Adler gleich: Anthologie albanischer Lyrik vom 16. Jahrhundert bis zur Gegenwart (Si një shqiponjë: antologji e poezisë shqiptare nga shek. 16 deri me sot), Hildës’hajm (Hildesheim) 1988; dhe veprat e poetëve kosovarë Ali Podrimja (l. 1942) në Who Will Slay the Ëolf: Selected Poetry (Kush do të vrasë ujkun: poezi të zgjedhur), Nju Jork 2000; Flora Brovina (l. 1949) në vëllimin Call Me by My Name: Poetry from Kosova (Verma emrin tim: poezi nga Kosova), Nju Jork 2001; dhe Eqrem Basha (l. 1948)në vëllimin Neither a Wound nor a Song: Poetry from Kosova(S’është plagë s’është as këngë: poezi nga Kosova), Nju Jork 2003. Këto përkthime janë bërë në bashkëpunim me shkrimtaren kanadeze, Janice Mathie-Heck (Kalgari).