Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër pesë personave me inicialet B.H., E.B., N.M., B.K. dhe R.D., për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi, nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 të KPRK dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 të KPRK.
Prokuroria Speciale njofton opinionin se të pandehurit E.B., N.M., B.K. dhe R.D., duke punuar si persona zyrtar në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për pronarët e objekteve pa leje ndërtimore në regjionin e Parkut Nacional “Sharri“ në Prevallë dhe shkaktimit të dëmit për Parkun Nacional dhe shtetin e Kosovës, si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës, përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional të lartcekur, në periudhën kohore nga 22 Qershor 06.2006, kur Kuvendi Komunal në Prizren e ka miratuar Planin e Përkohshëm të Rregullues Urbane për atë zonë, deri me datë 03 Maj 2013, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) me vendim e ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për ndërtimin nr. 2004/15, nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj, ashtu që gjatë këtyre 7 viteve e kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje ndërtimi duke reaguar vetëm në disa raste.
Në këtë mënyrë të pandehurit B.H., E.B., N.M., B.K. dhe R.D. kanë shkaktuar degradimin e mjedisit në masë të madhe, kurse secilit pronarë të objektit të ndërtuar pa leje iu kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë mesatare prej 10.500 €.
Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdimësi”, nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 të KPRK.
Ndërkaq, i pandehuri B.H. duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPH-së, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional.
Në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza dhe në fazën e parë ka rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20 dhe të pazbatuara kanë mbetur 8 vendime, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 janë revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk është implementuar, ashtu që nga data 14 Dhjetor 2013 e deri sot nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse ende janë në fuqi.
I pandehuri B.H., me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.2 të KPRK.